Dush Gashi
Në fillim të vitit 2015, pasi që mua dhe një koleg nga kishin larguar nga "Zëri", siç mendonim, me të padrejtë, e filluam rrugën që çështjen ta ndiqnim nëpërmjet institucioneve të drejtësisë. E filluam nga Inspektoriati i punës.
Rastësia e deshi ta njihnim një inspektor trupmadh, i cili fliste me theks karakteristik të së folmes së anës së tij dhe herë-herë bisedës i jepte edhe ton arrogant. Por, nga pozita në të cilën ishim, në këtë arrogancë edhe nuk i shihnim të metë, na e merrte mendja se e kishte nga indinjata për padrejtësitë që bëheshin dhe për padrejtësinë që na ishte bërë.
Nuk u desht të pritej gjatë që karakterin e tij megjithatë ta zbulonte tërësisht. Gjatë komunikimit me telefon gjatë asaj kohe, një ditë marr një mesazh me këtë përmbajtje:
- Harro ket numer (!)
Ia tregoi kolegut mesazhin, pa i thënë asnjë fjalë dhe për disa çaste të tjera mbetëm pa fjalë të dy, vetëm duke u shprehur me gjeste habie! Me sa dija, asnjë thirrje a mesazh telefonik i imi nuk ishte i tillë që t'i jepte shkas për këtë lloj reagimi!
Vetëm në mëngjesin e së nesërmes do të marr një mesazh tjetër, me të cilin më thoshte se atë të djeshmin e kishte dërguar gabimisht. Por, kjo nuk më lehtësonte fare. Mënyra urdhërore e foljes "harroj" e shkruar gabimisht e zbulon lehtë nxënësin e dobët të dikurshëm, ndërsa përdorimi i shprehjes "harroje këtë numër", edhe po u shkrua si duhet, e zhvesh pamëshirshëm nivelin e kulturës së atij që e përdor dhe e zbulon llumin shoqëror në të cilin frekuenton.
E patëm të qartë se kishim rënë në duar të liga.
Megjithatë, raporti i inspektimit, të cilin e morëm pas disa ditësh, ishte i shkruar në mënyrë tejet profesionale dhe i numëronte pikë për pikë të gjitha padrejtësitë që na ishin bërë. Por, ai raport mbeti vetëm përshkrim i kotë i gjendjes, sepse inspektori ynë nuk e procedoi mëtutje, deri në shqiptimin e gjobës eventuale punëdhënësit tonë, ndonëse këtë ia kërkuam disa herë.
Verën e atij viti i kam parë fotografitë e tij në një ambient deti, mbase dikund në Turqi dhe më shkoi mendja mos e kishte këtë dhuratë nga agjencia turistike Eurokoha, "bosi" i të cilës ishte edhe pronar i "Zërit". Por pos dyshimit, për këtë nuk kisha asnjë argument.
Se dyshimi im megjithatë nuk ka qenë krejt i pabazë, u dëshmua vitin tjetër, në një rast tjetër. Në raportin e policisë, e më pas edhe nga një aktakuzë e ngritur, të cilat mund të gjenden edhe sot në internet, bëhet e ditur se ai inspektor e ka shantazhuar një punëdhënës me 10 mijë euro, në mënyrë që të mos e dënojë për parregullsitë që ia ka gjetur. Por, pronari i asaj kompanie nuk pranon të bëhet pre e shantazhit dhe rastin e paraqet në polici. Se si ka rrjedhë kapja e tij spektakulare, e kam të shpjeguar me detaje nga burime të sigurta.
Policët i thonë atij punëdhënësit të shantazhuar që të bëhet sikur ka pranuar t'ia japë paratë, por i thonë që tërë atë shumë ta shndërrojë në banknota 50-euroshe. Ai vepron pikë për pikë siç i thonë, lë takim me inspektorin dhe ia jep zarfin me banknotat, të cilat më parë policia i kishte fotografuar secilën veç e veç. Shantazhuesi e merr zarfin dhe niset në shtëpi, i përcjellë nga policia me rroba civile. Hyn brendë dhe pas pak kohe troket edhe policia.
- Paratë, - i thonë. S'ka kah ia mban, detyrohet t'ua jep zarfin. I numërojnë bankënotat, por janë vetëm 199 sosh, mungon një. Thotë se ia ka dhënë djalit për të blerë bukë. Shkojnë në furrë dhe e gjejnë edhe atë banknotë. Aksion i suksesshëm, inspektori shantazhues është kapur.
Më tutje nuk e di se çfarë ka ndodhur me të dhe as me kërkuesin e Google-it nuk gjendet ndonjë lajm nëse është dënuar a jo. Por, pas një kohe, përsëri nga burime shumë të sigurta, kam mësuar se kishte marrë rol të ri - të edukatorit të brezit të ri, si ligjërues në një universitet! E merrni me mend të ketë qenë bukur ngulmues në kërkim të dijes! Rastësisht di edhe ca gjëra nga jeta e tij e mëtejme personale, por me to, ndonëse janë tipike për një njeri i cili nga hiqi ngritet në pozitë e fiton pushtet - megjithatë nuk do të merrem fare.
E imagjinoni tash njeriun, i cili për qëndrim një a dy javësh në deti, me indolencë të pashembullt, i bën të tjerët të zvarriten me vite në gjyq, ndërsa shkeljet e ligjit, të numëruara në raport - të shkruar sigurisht nga dy inspektorët tjerë, të cilët ishin në ekip - janë më se të qarta:
- punëdhënësi ynë arsyetohej se kontratat ishin njëvjeçare (madje vitin e fundit i kishim vetëm gjashtëmujore), por, ligji i punës thotë se edhe kontrata njëvjeçare, nëse i ke bërë 10 vjet pune në atë ndërmarrje (e ne i kishim për pak nga 15), konsiderohet si kontratë e përhershme;
- raporti konstatonte se edhe vetë arsyetimi bazë i largimit nga puna – “për shkaqe organizative” po ashtu hidhej poshtë me lehtësi, sepse vendimi për ristrukturim ishte marrë në vitin 2012 dhe, sipas ligjit, kjo mundësi lejohej vetëm në afat prej gjashtë muajsh, etj.
Shkurt, na kishin dëbuar nga puna duke menduar se janë të gjithpushtetshëm dhe se s'ka kund drejtësi në botë!
Tash, në të vërtetë, kam dëshmi se jam larguar nga puna me urdhrin e një politikani (e di edhe cilit!), por këtë do të ishte vështirë ta dëshmoja në gjyq, kështu që mbrojtja është bërë në bazë të mundësive që jep ligji i punës.
Por, ky nuk është tregim vetëm për inspektorin "tonë", po edhe për ata dy të tjerët, të cilët, ndonëse më të dijshëm, megjithatë nuk kanë insistuar që rasti të procedohet deri në fund; për ata drejtues universiteti, të cilët e kanë marrë në punë, ndonëse nuk di ta zgjedhojë as një folje si duhet; për shoqërinë tonë të degraduar, të cilës, edhe nën pushtetin më ideal do t'i duhen dekada për ta rimëkëmbur sistemin e përmbysur të vlerave.
Nëse edhe do t'ia dalë fare ndonjëherë!
