Në kohën e komunizmit, ankoheshim se pse edhe ne nuk kemi emisione debati në televizion, siç kishin televizionet e njësive të tjera federale të Jugosllavisë. Me kohë e përvetësuam edhe këtë zhanër, mirëpo, siç e kemi shprehi, jo vetëm që e tepruam me të, por edhe e kthyem në të kundërtën e tij. Tash, televizionet tona mendojnë se ndoshta as që mund të quhen televizione po s'e patën ndonjë emision të tyre të debatit. Disa nga "analistët" edhe janë "yje" medialë të kohës sonë.
Shpesh herë tema debati janë ato të cilat, në të vërtetë televizionet tona do të duhej t'i kishin hulumtuar vetë dhe të thonë tërë ato që duhet të thuhen për to në lajme apo në emisione të tjera informative. Por, për këtë nevojiten gazetarë me përvojë, kohë, mund e shpenzime, që televizionet tona nuk munden apo nuk janë të gatshme t'i investojnë.
Problem tjetër janë - me apo pa thonjëza - analistët. Kend, në të vërtetë, ne e quajmë analist?
Në botë, analistët rëndom janë pjesëtarë të institucioneve hulumtuese, të cilat merren me studime politike apo të fushave të tjera, e të cilët edhe paguhen që mendimet e tyre të jenë të mbështetura në njohuritë shkencore dhe në hulumtimet e vëzhgimet e tyre sa më objektive, në mënyrë që të mundësojnë perceptimin sa më real të proceseve apo situatave të caktuara dhe të merren edhe qëndrimet e duhura në lidhje me to.
Analistë janë ekspertë të fushave të ndryshme, në etikën e vokacionit të të cilëve është që mendimin e tyre ta thonë troq, pa kalkulime të interesave politike apo të kushedi të çfarë interesash tjera.
Ndonjëherë analistë janë njerëz, të cilët, kushedi prej çfarë përvojash të tyre - si diplomatë, ish-politikanë apo gazetarë - e dinë më mirë se si funksionojnë dhe si i marrin vendimet institucione të caktuara, apo si zhvillohet politika e një shteti të caktuar.
Ata botojnë edhe shkrime autoriale në gazeta e revista, të cilat njihen si publicistikë. Sipas përkufizimit, janë këto më së shpeshti zhanre të angazhuara në gazetari, të cilat janë më analitike dhe esenciale në to është interpretimi dhe perfundimi, për dallim nga zhanret informuese, në të cilat rëndom nuk jepen shpjegime. Një numër i madh gazetarësh janë edhe publicistë.
Mirëpo, meqë shkrimet e tilla përmbajnë edhe qëndrime personale të autorëve - ndonëse nuk do të thotë se ato nuk janë të mbështetura në argumente të qëndrueshme - anglezët e quajnë "gazetari e opinionit". Prej këtu, pra, rrjedh edhe emri "opinione" i rubrikave në gazeta, apo "opinionistë" i atyre që paraqiten në intervista apo debate televizive. Prandaj edhe në shumë media, në faqet e opinioneve është e shkruar vërejtja: "Pikëpamjet e shprehura në këtë tekst janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën redaktuese të... (emri i medias)".
Fundja, është e njohur dhe e pranuar edhe e ashtuquajtura "gazetari avokuese" në të cilën publicisti angazhohet për një çështje apo edhe për një kandidat ta caktuar në rast të zgjedhjeve dhe në këtë s'ka asgjë të keqe, deri sa e dimë si ai po i paraqet qëndrimet e tij personale, me argumentim të qëndrueshëm apo më pak të paqëndrueshëm. Nuk është problem as paraqitja e pjesëtarëve të partive politike, natyrisht, në rast se gazetarët nuk mbajnë qëndrim profesional e të distancuar ndaj tyre.
Problem ndër "analistët" tanë është se - ndonëse ka edhe të tillë të ditur e të ndershëm - dominojnë ata, të cilët nën petkun e të pavarurit, në fakt vetëm sa plasojnë qëndrime të partive të caktuara apo grupeve të ndryshme të interesit. Shumica prej tyre, ma merr mendja, do të diskreditoheshin sikur udhëheqësit e emisioneve t'i pyesnin se cili është pozicioni i tyre personal, pse i kanë dhe i mbështesin ato qëndrime.
Sepse, shtrohet pyetja, si mund të jetë i pavarur dikush, i cili punon në një portal të paguar nga një parti politike, apo edhe më keq - nga fondet e zeza të një partie politike? Si mund të jetë i pavarur nëse punon në një televizion, burimet e financimit të të cilit nuk i dimë, apo e dimë se është në pronësi të ndonjë biznesmeni, qëllimi i fundit i të cilit mund të jetë informimi objektiv e i paanshëm? Si do të na bindësh se qëndrimet tua janë të pavarura, objektive dhe në interes të publikut, deri sa je i varur nga politikanët tanë, tashmë të dëshmuar për egoizmin e pa fre? Si mund të jesh i pavarur nëse në krye të ndonjë institucioni, ndonëse quhet i pavarur, megjithatë ke arritur me ndihmën e politikës?
Tregoni, së pari, të kujt jeni, o analistë, pastaj shohim a do t'ju besojmë!
Debatet tona, prandaj, shpeshherë, në vend se informuese, janë "spin" apo "spinim", term ky jo jaft i njohur nga publiku ynë. Nga kuptimi i parë i fjalës në anglisht, "rrotullim", spin i thonë një raporti mediatik, që synon të largojë vëmendjen e publikut nga përmbajtje ose fakte të tjera që janë në qendër të vëmendjes së publikut në atë çast, me synimin për të ndryshuar ose zvogëluar efektet negative që raporti ose ngjarja ka, ose mund të ketë, mbi aktorët publikë, kryesisht ata në botën e politikës.
Të tilla, për shembull, mund të konsiderohen debatet e shumëta të para do ditëve rreth konfirmimit të aktakuzave nga Gjykata speciale për disa pjesëtarë të UÇK-së, ndër ta edhe figura të udhëheqjes më të lartë të vendit, me ç'rast e tërë kjo paraqitej kryesisht si komplot ndaj UÇK-së dhe Kosovës. Shtrohet pyetja, si mund të jetë komplot, deri sa në mbrojtje të Gjykatës speciale kanë dalë të gjitha shtetet e quintit, të cilat, siç e dimë, kanë merita të mëdha për pavarësinë e Kosovës? Dhe nuk janë penduar për këtë, përkundrazi! Po të ishte e vërtetë se këto po na bëjnë komplot, atëherë s'ka Hysni Ngucat që do të na shpëtonte!
Në fakt, sikur këto debate të synonin vërtet ngritjen e kulturës politike ndër ne, me shumë se për cicmicat e kombinatorikat e nerveritshme të kësaj klase politike - të cilat nuk kanë qëllim tjetër pos të bëhen aq ndryshime sa është e mundshme që përsëri të mbetet gjithçka siç ka qenë - problemet do të duhej t'i shtronin në një plan më të gjerë shoqëror, larg politikës së ditës: Pse kemi politikanë kaq primitivë? Pse i zgjedhim, deri sa e dimë se nuk do t'i zgjidhnin prijës as në fshatin e tyre? Mos e ka fajin për këtë kultura jonë? Cili është roli i partive politike në këtë? Pse sot më mirë kalon të jesh mediokritet e konformist, se i ditur e me integritet moral?...
Është vërtet paksa e habitshme se si njerëzit tanë nuk e krijojnë perceptimin e duhur të analistëve të vërtetë, ndërsa shembujt e tyre mund t'i gjejmë në një Janusz Bugajski, Daniel Serwer, David Phillips e shumë të tjerë, të cilët na përcjellin e i lexojmë që nga vitet e nëntëdhjeta? Si nuk na bën përshtypje integriteti i lartë i tyre, deri sa ata e vërejmë se si gjithmonë përpiqen të qëndrojnë në anën e të vërtetës? Ata nuk mbajnë as anën e Amerikës, sepse Amerika i do pikërisht të tillë. Në botë, për shembull, nuk ka edhe një kritik më të pakompromis të Amerikës se sa Noam Chomsky. Por, në Amerikë askush nuk e trazon Noam Chomskyn.
Demokracia, thotë filozofi amerikan Cornel West, "qëndron në lirinë e shprehjes, lirinë e të folurit dhe lirinë e medieve, prandaj mediat e korruptuara çojnë në vdekjen e demokracisë".
Te ne po përpiqen të mos e lejojnë as të lindë.
Për fund, ja një qëndrim imi subjektiv për debatet, të cilin do të mund ta pranojnë të gjithë ata, të cilëve u duket i vërtetë:
T'i dëgjosh çdo mbrëmje me nge dërdëllisjet e pafundme në debatet tona, do të thotë vërtet të mos kesh ndjeshmërinë e duhur për gjendjen e këtij vendi! Apo më mirë - gjëmën.
(Bota sot, 11. 10. 2020)
