“Kurti nuk është problemi kryesor në dialogun me Prishtinën, por Beogradi”. Beogradi mendon se Kurti po i provokon, dhe për mendimin tim ky nuk është provokim, por ai thjesht u përpoq të zbatojë disa gjëra për të cilat tashmë është rënë dakord. Kjo do të thotë se Beogradi i ka shpalosur qëllimet e tij deri në fund, pasi nuk ka fare qëllim të hyjë në atë dialog dhe ende qëndron në pozicionin e ndarjes së Kosovës, dhe kjo duket qartë nga të gjitha reagimet dhe sjelljet e fundit të Beogradit. nga ngritja e ushtrisë në një nivel më të lartë të gatishmërisë, e për më tepër, ky lloj tension krijohet gjatë gjithë kohës, pasi ata janë ushtarakisht superiorë në raport me Kosovën. Mirëpo, nëse kalojnë kufirin, NATO-ja i pret atje, jo Kurti”, tha Sonja Biserko, presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, për Qendrën Mediale të Beogradit
Sipas saj, problemi me AKS-në (Asociacionin e komunave serbe) është se ky nuk mund të jetë hapi i parë, sepse Kosova nuk ka garanci se do të arrihet hapi i dytë, pra njohja e Kosovës nga Serbia.
“Nuk ka asnjë dëshmi se Beogradi dëshiron seriozisht të zbatojë dispozitat e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, dhe kemi dëgjuar gjithashtu nga presidenti [Vuçiq] se ai nuk e njeh këtë dhe se nuk ka nënshkruar asgjë, dhe menjëherë pas Ohrit ai i vuri në dyshim të gjitha ato detyrime që janë atje," thekson Biserko.
Ajo përkujton se serbët tashmë kishin dhjetë vende të garantuara në parlament dhe ishin në institucione dhe se problemi kryesor është se Vuçiq i tërhoqi nga ato institucione dhe ua pengoi pjesëmarrjen në zgjedhje dhe tani kërkojnë zgjedhje të reja.
"Zgjedhjet pashmangshmërisht do të zhvillohen së shpejti, padyshim nën kujdesin e Kfor-it, pyetja e vetme është nëse Beogradi do të jetë mjaft racional për të lejuar serbët të marrin pjesë në ato zgjedhje. Serbët në Kosovë janë pengjet më të mëdha atje, sepse politika e udhëhequr nga Beogradi është e drejtuar kundër interesave të tyre, kundër integrimit të tyre në atë shoqëri dhe më së shumti varet nga Beogradi se si do të sillen ata në të ardhmen, sepse për fat të keq ata kuk kanë liri të zgjedhjes", tha ajo.
Ajo thekson se shpreson se bashkësia ndërkombëtare në Kosovë do të ndërhyjë në mënyrë më domethënëse për të parandaluar konfliktin, “duke pasur parasysh se që nga fillimi i luftës në Ukrainë është folur për hapjen e një fushe të dytë beteje në Ballkan dhe kthimi i tyre për siguri në këto hapësira ishte i motivuar me atë mundësi dhe që ata të vazhdojnë të ndjekin me përkushtim ngjarjet në Bosnje dhe Kosovë”.
Beogradi priste fitoren e Rusisë në luftë dhe rikompozimin e Ballkanit
Ajo shton se Beogradi priste që lufta në Ukrainë do të kishte një përfundim tjetër dhe se pavarësisht nga shkatërrimi i Ukrainës dhe tragjedia e atij vendi, pushteti priste që Rusia të dilte nga ajo luftë si fituese dhe se në kuadër të asaj fitoreje, rikompozimi i Ballkanit do të ishte i mundur.
“Jemi të vetëdijshëm se në fillim të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Dodiku po përgatitte shkëputjen, por ajo u pengua për shkak të dështimit dhe fiaskosë së ushtrisë ruse dhe në të njëjtën kohë në rend dite ishte pushtimi i veriut të Kosovës dhe ndarja e saj, gjë që është ende në vazhdim. Kemi parë zhgënjimin e elitave serbe në pushtet me atë që po ndodhte në Rusi, rreth Prigozhinit dhe përpjekjes së tij për 'çfarë do që të ketë dashur' dhe ende nuk e dimë se cili është përfundimi i gjithë kësaj në vetë Rusinë dhe ka shumë të ngjarë që ky është një proces që çon në fundin e Putinit. Sidoqoftë, është shumë e vështirë të thuhet nga jashtë se kah po shkon Rusia dhe çfarë po ndodh prapa skenave, është shumë e rëndësishme se kush dhe nga cilat struktura ishte në lidhje me Prigozhin. Serbia ndjen se po e humb atë mbështetje ose se rëndësia e saj po zvogëlohet, deklaron Biserko.
Ajo është e mendimit se Rusia ka pushtuar mediat dhe hapësirën publike në Serbi në një mënyrë shumë të thjeshtë.
"Serbia tradicionalisht ka emocion për Rusinë dhe kjo nuk është e diskutueshme, por ky nivel i rusifikimit të shoqërisë nuk është përfaqësuar kurrë. Rezultati mund të shihet në faktin se 80 për qind e qytetarëve besojnë se fajin e ka Amerika dhe se Ukraina nisi agresionin kundër Rusisë. Një drejtim i tillë nuk i lë hapësirë asaj që zyrtarisht mbron Serbia, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. BE-ja perceptohet se ka një detyrim të na ndihmojë. Fatkeqësisht, ajo fushatë dhe përmbajtje mediatike vendosin Rusinë dhe Kinën në radhë të parë si miq," thekson Biserko.
Ajo beson se promovimi i Bashkimit Evropian dhe vlerave mbi të cilat ai mbështetet bëhet shumë teknikisht, kështu që për njerëzit do të thotë pak.
“Të gjitha këto duhet të rikonfirmohen në mënyrë që çdo qytetar të kuptojë se pse është i rëndësishëm shteti i së drejtës, pse media e lirë dhe pluralizmi janë të rëndësishme, si dhe koncepti i të drejtave të njeriut dhe që këto të mos jenë thjesht floskula që nuk arrijnë tek qytetarët. Fakti që BE-ja është koncept i paqes është gjithashtu shumë i rëndësishëm për këtë rajon, sepse këto vende as nuk janë konsoliduar. Në këtë kontekst, Serbia është problemi kryesor në vendosjen e bashkëpunimit rajonal dhe normalizimin e marrëdhënieve, dhe Serbia në dhjetë vitet e fundit i ka prishur dukshëm marrëdhëniet me Kroacinë, Bosnjë e Hercegovinën, si dhe Malin e Zi dhe asnjëherë nuk i ka pasur me Kosovën. Marrëdhëniet rajonale janë sjellë në një nivel ku mund të presim jo vetëm tensione, por edhe konflikt të hapur”, nënvizon Biserko.
Opozita nuk duhet të pranojë zgjedhjet në këto rrethana
Duke komentuar ngjarjet aktuale socio-politike në Serbi, Biserko thotë se tragjeditë e ndodhura në maj shkaktuan tronditje dhe nxorën njerëzit në rrugë, sepse janë "rezultat i atmosferës toksike në të cilën jetojmë dhe i dhunës që mbizotëron në shoqëri dhe e cila u inkurajua përmes mediave dhe deklaratave të liderëve të ndryshëm politikë dhe përfaqësuesve intelektualë të pushtetit”.
“Është një reagim spontan i shoqërisë ndaj tragjedisë së tmerrshme që ndodhi dhe përmes së cilës dolën në pah shumë probleme. Është gjithashtu një tregues se kontrolli absolut i një njeriu në Serbi po shembet dalëngadalë dhe ky është rezultati më i madh i këtyre protestave. Ka pasur një çlirim gradual të frikës dhe artikulim të kërkesave që kanë të bëjnë kryesisht me politikën e brendshme të Serbisë. Këto kërkesa ende nuk prekin disa tema kyçe që mund të dalin në rend dite dhe kanë të bëjnë me trashëgiminë e madhe nga dekadat e mëparshme, të cilat janë vendimtare për hapjen e një perspektive për Serbinë”, shpjegon Biserko .
Sipas saj, opozita nuk duhet të pajtohet me zgjedhjet në rrethana të tilla dhe mendon se është një kurth që do të përfundonte me fitoren e Vuçiqit, por ndoshta jo aq dominuese.
“Probleme shfaqen edhe brenda strukturës qeverisëse, duke qenë se edhe formimi i lëvizjes shtetformuese është shtyrë dhe ka mundësi që brenda tyre të ketë rezistencë për shkrirje në atë lëvizje të përmendur. Ato parti kanë identitetin e tyre, të cilin padyshim duan ta ruajnë. Mendoj se në vonesë ka kontribuar edhe ajo që po ndodhte në Rusi”, thotë Biserko.
Biserko mendon se Serbia është shembur në atë masë sa që është shumë e vështirë të identifikohet se cilat forca të brendshme mund të iniciojnë një dialog social, i cili aktualisht nuk është i mundur ndërmjet qeverisë dhe opozitës.
“Disa pjesë të opozitës janë të vetëdijshme për disa gjëra, por ata janë ende të kujdesshëm në kandidimin për disa tema, sepse presin një fushatë të pandërprerë mediatike që besojnë se do të kontribuojë në suksesin e tyre më të dobët në zgjedhje. Mirëpo, derisa të dalin para opinionit, jo vetëm me dënimin e kësaj politike, por edhe derisa të hapin çështjen e së kaluarës dhe përgjegjësinë e kësaj dhe të gjitha qeverive të mëparshme dhe derisa ta mposhtin ideologjinë kombëtare që ka sunduar këtë shoqëri për 40 vjet, dhe të sjellin disa vlera të tjera dhe të japin një vizion për të ardhmen që nuk është nacionalizmi imperial apo ndonjë ideologji shkatërruese që ka shkatërruar të gjithë rajonin, nuk do të ketë përmirësim”, përfundoi Biserko.
(S. Bosna, Shqip: D. Gashi)
