Dush Gashi

Në korrik të këtij viti më nevojitej certifikata me të cilën dëshmohet se s'je nën hetime. (Nuk dua të tregoj se për çka më duhej, për shkak se është një temë të cilën e kam trajtuar bukur me bujë para do kohe dhe, po ta vazhdoj tash, do të duket se po martirizohem, gjë që më neverit vetëm po ta mendoj!) U nisa një ditë ende për fllad, në këmbë, trup lagjes sime, përmes lagjes së spitalit u ngjita në kodër e tutje, rrugës mes fushës deri te pallati i drejtësisë.

E di se tregimet për ngjarje para sportelit është zor t'i tregosh në mënyrë interesante, i kemi përjetuar të gjithë dhe i njohim në të gjitha versionet e mundshme. Megjithatë, ju lus për pak durim dhe do të përpiqem t'i tregoj në mënyrën sa më të shkurtër të mundshme.

E pra, atje, në sportelin ku merret kjo certifikatë punon (nëse punon ende, se ishte bukur në moshë) një Stalin i vogël. Meqë e kisha letërnjoftimin në të cilin nuk shkruan edhe vendbanimi, e dija se duhet të marr një dëshmi për adresë, sepse njëherë më parë, në një kohë tjetër, më kishte kthyer për shkak të mungesës së tij. E kisha atë vërtetim nga Bashkësia Lokale dhe e kisha njëfarë qetësie. Njëfare, sepse parandjeja se atij nuk i dihet! E plotësoj formularin dhe ia jap bashkë me vërtetimin e adresës. E shikon dhe thotë "jo, ky i Bashkësisë Lokale s'është gjë, shko e merre një ekstrakt të certifikatës së lindjes"!

E shikoj ngultas, por pa folur, duke u përpjekur që në pak sekonda të gjej reagimin e duhur. Më shkoj mendja ta kërkoj shefin, bile me zë të lartë sa ta trazoj atyhen, por shpejt u kujtova se është korrik, shefi mund të jetë në pushim dhe pastaj mbetem as andej, as këndej, ndërsa nuk kisha ditë për të humbur.

Unë, pse jam i arsyeshëm, nuk e konsideroj veten edhe krejt të marrë. E, të mos jesh i marrë në ato çaste, mendoj se duhej t'i fusja duart nëpër atë të hapurën e sportelit, ta kapja për fyti dhe t'ia ngjeshja fytyrën për xhami. Apo, nëse ajo e hapur është tepër e vogël për t'i futur duart dhe për ta arrirë, më së miri do të ishte të kapësh ndonjë objekt të fortë kudo ta zë dora (një shkop bejsbolli do të ishte gjëja më e mirë, por një të tillë mund ta kesh vetëm po e more me vete) dhe t'ua kërcasësh atyre xhamave prej sportelit e të vazhdosh deri të dera e daljes. Sepse, ky tipi thjesht po luante me mua! E kur ai tipi është nga ata për të cilët s'ke kujt t'i ankohesh, as ku ta padisësh, kjo do të thotë se të gjitha dyert i ke të mbyllura! Duhet të provosh t'i thyesh, qoftë edhe nëse të del më keq!

Megjithatë unë nuk e bëj dhe nuk e ftoj askënd ta bëjë këtë, por kushdo që do ta bënte në aso situate nuk do ta quaja të egër (gjë që nuk mund të garantoj se nuk do ta bënte edhe gjykatësi për kundërvajtje). Dola pa folur asnjë fjalë, shkova këtë herë me autobus e nëpër vapë deri në Ulpianë, e mora ekstraktin e kërkuar dhe ia solla. (Pjesa tjetër e tregimit do të ishte se si, pastaj, në një nivel "më të lartë", luajnë me ty ata prej të cilëve pritet më së paku, por kjo nuk është temë e këtij tregimi).

M'u kujtua kjo ngjarje deri sa po e dëgjoja Milaim Zekën (në një video të shkëputur në internet, sepse televizionet ka kohë që nuk i përcjell fare) tek e pohonte se është i punësuar në RTK dhe "puna" e tij në transmetuesin publik "me rëndësi të posaçme kulturore e kombëtare", e shpjeguar me fjalët e tij, është me sa vijon: "Unë në RTK kam qenë dhe vij çdo ditë, sillem nëpër oborr, sillem në kafiteri përballë Radio Televizionit të Kosovës…”.

E di çfarë do të mendoni, do t'ju bien në mend gjëra të tjera dhe mund të qeshni me këtë naivitet, por mua më shkoj mendja se Milaim Zeka u punësua a s'u punësua, u zgjodh apo s'u zgjodh deputet, qoftë apo mos qoftë nën hetime - vë bast se kurrë nuk ka nxjerrë certifikatë për dëshmi se s'është nën hetime! Jo në këtë shtet!

A e dini pse? Për arsyen e thjeshtë se ky është shtet i Milaim Zekës! Edhe nëse në fillim e ka pushtuar, më pastaj ne ia kemi dhënë e ia japim përditë. Kushdo që t'i ketë bërë vrasjet e pasluftës, i ka i bërë me qëllim që të vijnë në pushtet ata, në qeverisjen e të cilëve edhe një Milaim Zekë bëhet dikushi! Strategët e këtij sistemi e kanë ditur pagabueshëm se, duke mos pasur përvojë të shtetit tonë, do t'u kthehemi shprehive të vjetra, të mësuara në robni: që, në vend se të kërkojmë drejtësi, do të përpiqemi ta marrim me të mirë shtetin e personifikuar me zyrtarët e tij. Ne edhe për një tip si ai Stalini i vogël i imi, e hulumtojmë dhe ia gjejmë një "lidhje" brenda pallatit të drejtësisë, lëre pastaj kur regjistrohemi në fakultet, kur kërkojmë punë, kur nisim biznese.

Ne nënshtrohemi përditë dhe e krijojmë atë lidhje e pashkëputshme simbiotike pushtet i korruptuar - qytetar ryshfetdhënës, rreth ky vicioz prej të cilit është vështirë të dilet. Për njëzet vjet të pushtetit të padrejtë rrjeti i lidhjeve klienteliste e nepotiste e ka përshkuar tërë shoqërinë dhe prej ati rrjeti tash nuk mund ta dalë askush. Në këso shoqërie nuk rebelohet askush. Apo, si gjithmonë, rebelohet kundër një autoriteti, për hir të një tjetri, rrallë për drejtësi e vlera.

Heshtim, prandaj, deri sa mediat publike, të cilat paguhen me paratë tona, edhe më tej e mbajnë gjallë mitin e "çlirimtarëve", jo për të na frymëzuar për liri, po për të krijuar tabunë e paprekshme të atyre që sot thirren në emër të luftës për çlirim. Mediat private, ndërkaq, të tajkunëve të ngritur falë këtij sistemi, u përshtatet gjendja e amullisë, sepse vetëm ashtu mund të ekzistojnë. Askush prandaj, nuk pyet kush është ai idiot që ia jep pagën Milaim Zekës për t'u "sjellë nëpër oborr. Përkundrazi, i mbajnë gjallë si personalitete publike tipat si ai e të ngjashëm, duke ua fyer inteligjencën njerëzve të arsyeshëm, përndryshe gjithnjë e më të paktë në këtë vend.

A ka shpresë?

Po do të duhej të kishte. Për shembull, me vënien në rend të sistemit të drejtësisë me veting, do të fillonte të shprishej ky lëmsh i ngatërruar i këtij sistemi. Por, për këtë proces është më se e sigurt se do të ketë rezistenca nga më të parashikueshmet, ndërsa nuk dihet nëse kjo qeveri edhe e ka ndërmend ta bëjë, deri sa ka lënë një afat paarsyeshëm të gjatë për zhvillimin e tij.

Me një fjalë, ajo shpresa se "do të bëhet mirë" mbetet gjithmonë në horizontin e largët, të mjegulluar.

(Facebook, 6 dhjetor 2021)