Dush Gashi
Shqipëria e madhe për pak qe duke u krijuar. Akti i shpalljes së saj, në formën e një droni me hartën e mbarë trojeve shqiptare, u shfaq në vendin më të qëlluar – në mjedis të Beogradit, në stadiumin e ekipit futbollistik të Partizanit. Pastaj, siç edhe mund të pritej, për pak shpërtheu lufta.
Por, po të donte, fati i luftës ka mundur të krijojë rrjedhë krejtësisht të ndryshme. Sikur, për shembull, shikuesit serbë nga tribunat të ishin në një humor tjetër dhe, në vend që të krijonin atmosferë linçi për futbollistët dhe cilindo shqiptar që u gjet aty, sikundër që edhe vepruan, ta përcillnin këtë akt me duartrokitje dhe, natyrisht, me brohoritje nënqeshëse, atëherë “komploti” shqiptar madje do të rrezikonte edhe të dukej qesharak.
Por, serbët e dinë se, kur bëhet fjalë për shqiptarët – me ta mahi s’ka. Ndaj u kujdesën që ta ruajnë dinjitetin kombëtar, me të gjitha forcat dhe mjetet që kishin në dispozicion.
Ivica Daçiq, me kompetencën e postit të ministrit të jashtëm serb, ka mirëkuptim të plotë për atë se shqiptarëve duhej t’u bëhej e shtrenjtë bira e miut:
“Në qoftë se dikush do ta shpalonte flamurin e ‘Serbisë së Madhe’ në Tiranë apo në Prishtinë, kjo do të futej menjëherë ne rendin e ditës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.”
Gabon rëndë kushdo që mund të mendojë se Daçiq, nën ndikimin e ndonjë gote shlivovice, me këtë deklaratë po përpiqej ta kompensojë humorin e munguar në stadium. Se ai e kishte krejt seriozisht, e konfirmoi më pas vetë shefi i tij, kryeministri Alensandër Vuçiq, përndryshe i njohur si – siç do të shpreheshin serbët – serioz për vdekje.
“Incidenti në ndeshjen Serbi – Shqipëri ka qenë aksion i organizuar, me qëllim që të rrënohet stabiliteti në Serbi dhe tërë regjionin”, tha ai. Dhe, natyrisht, “që të poshtërohen qytetarët” e Serbisë. Meqë pushteti serb është i njohur për efikasitet, në të vërtetë ai edhe e kishte ditur qysh më parë se çfarë po zienin shqiptarët, ndaj – sipas medieve serbe – përfaqësuesit e BE-së tri orë para ndeshjes i ka njoftuar se “po përgatitet provokimi”.
Së paku u treguan të sinqertë – nuk u arsyetuan duke thënë se forcat e rendit nuk kanë mundur ta ndalonin masën e revoltuar të shikuesve. E, sikur të donin, është e qartë se do të mundë ta ndalonin: për sigurinë e ndeshjes, sipas vetë medieve serbe, kujdeseshin 2.500 policë, lloj-lloj gjinish e uniformash. Madje, me siguri edhe më të madhe, udhëheqësit serbë edhe mund ta parandalonin.
Pas paradës së paradoditshme gay në kryeqytetin serb – e këso herë pritej që patriotët serbë të dilnin në mbrojtje të “vlerave familjare”, – shkrimtari i njohur beogradas, Svetislav Basara, një “kronik i mprehtë i përditshmërisë”, fare nuk ishte i befasuar pse ky manifestim kishte kaluar “pa gjak dhe demolimin e Beogradit”.
“Asgjë s’ka ndryshuar këtu. As që do të ndryshojë ndonjëherë. Mungesa e dhunës në paradën gej të sivjetshme nuk është pasojë e emancipimit shoqëror, por e kërcënimit serioz me kërbaç e hapsane. Kryeparët tanë si duket kanë pasur interes që parada të mbahet, kështu që në adresa të caktuara janë dërguar porosi se – në qoftë se do të ketë bela – do të ketë dajak të mirë”, thoshte ai.
Natyrisht, Basara e ka të qartë se tubimet spontane janë vetëm trillime gazetareske dhe se “pos abortit, asgjë në Serbi nuk është spontane”.
E saktë, askush nga kreu serb ketë herë në asnjë adresë nuk ka dërguar porosi, e lëre më kërcënime në formën “mos i ngucni shqiptarët”. Sepse, vetëm shqiptarët – natyrisht, ata të Kosovës – u kanë mbetur udhëheqësve serbë që të mund t’i bëjnë të ndjehen me oreolin e mbrojtësve të serbizmit. Dhe, më kryesorja: demonizimi i shqiptarëve mund t’u sjellë ende lëshime në bisedimet e ardhshme për Kosovën.
Natyrisht, ka vend edhe për kosovarët në këtë tregim. Është e dhimbshme se si patriotizmi shqiptar, edhe 15 vjet pas luftës – sigurisht duke iu falënderuar klasës tonë politike vizionare – ka mbetur i reduktuar në ngjyrat kuq e zi. Dhe – ndonëse në këtë ballafaqim me serbët vërtet dolëm më dinjitozë – që vetërealizimin si komb të kemi ende nevojë ta matim me Serbinë.
(Zëri, 16 tetor 2014)
