Në Kosovë u mbyll edhe një rreth tjetër i përgjakshëm i skëterrës, për disa i papritur dhe i pakuptueshëm, sepse ndodhi pikërisht në një kohë, kur dukej se institucionalizimi i demokracisë ishte në prag, për disa të tjerë i planifikuar deri në hollësi. Dyshoj që ky të jetë rrethi i fundit i përgjakshëm i skëterrës. Pa u shuar mirë jehona e automatikëve "Kallashnikov" dhe e goditjeve të kamxhikëve të milicëve, filluan të thuhen fjalë të rënda, të cilat shpojnë më shumë se shigjetat e helmatisura. Kemi qenë dëshmitarë të kronikave televizive, kur pamjet e breshërive të automatikëve kundër masës së pambrojtur të shqiptarëve spikeri i shoqëronte me një ton të qetë duke thënë se "terroristë të armatosur qëllojnë kundër organeve të sigurimit". U quajtën terristë edhe pleqtë e pafuqishëm dhe fëmijët që merrnin pjesë në një demonstratë të qetë në qendër të Prishtinës. Flitet për shtabe me një strategji të përpunuar deri në hollësi, pa sjellë për këtë asnjë argument; flitet për separatizëm dhe kjo nuk ilustrohet me asnjë parullë të vetme në këtë drejtim; flitet për konflikte ndërnacionale, pa asnjë shkelje të kësaj natyre, megjithëse e kuptoj se këto ditë ishte e vështirë të ishe serb ose malazez në Kosovë nga frika se ç'mund të sjellë e nesërmja e pasigurt.
Për këtë arsye, kam frikë se ka filluar rretji tjetër i përgjakshëm i skëterrës, me qëllim që Kosova të ruhet si një bombë me sahat prej mishi dhe gjaku, shpërthimi i së cilës do të ndodhë atëherë kur dikujt do t'i interesonte kjo. Vallë, a do të hiqet dorë ndonjëherë nga ky cikël i pafund tmerresh? Ç'gjë tjetër duhet të ngjasë që më në fund të pushojnë britmat për luftë dhe në vend të tyre të dëgjohet zëri i arsyes, zëri i demokracisë? Të gjithë atyre që thonë se pas parullës për demokraci dhe respektimin e të drejtave të njeriut, të cilat u thanë me zë të lartë nëpër sheshet e qyteteve të Evropës Lindore deri në Kaukza, depërtoi edhe në fshatrat më të largëta të Kosovës.

"PAKLENI KRUG", "Danas", Zagreb, 13 shkurt 1990. Përkthimi sipas publikimit tiranas "Ç'thonë dhe ç'kërkojnë kosovarët".