Dush Gashi

Partitë politike, sipas teorisë, janë bazë e demokracisë.

Në qoftë se është kështu, atëherë duhet thënë se demokracia në Kosovë qëndron mbi themele të dobëta, sepse partitë tona nuk janë demokratike. Aq më keq është pse kjo asnjëherë nuk bëhet temë dominuese në hapësirën e debatit publik. Apo edhe ndryshe: sa shumë debati bëhet koti, ne erë!

A mund të bëjë dryshime në këtë aspekt LDK-ja, me platformën e saj politike të quajtur me emër kumbues, “Rruga e re”?

Sigurisht që mundet! Sidomos nëse veprohet sipas asaj që implikon konstatimi i para do dite i kreut të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, i cili e tha shkurt e shqip:

“Kemi parë që po rrezikohet demokracia në vendin tonë, njerëzit kanë frikë të flasin lirshëm.”

Nuk e di si e sheh Abdixhiku këtë mungesë lirie, por nëse e sheh si është ajo në realitet – se janë mu partitë politike ato që e shkaktojnë – atëherë do të ishte kjo vërtetë një kthesë kopernikane në qasjen ndaj realitetit tonë politik!Por, nëse LDK-ja vërtet mendon t’I kontribuojë fjalës së lirë, atëherë është mirë ta heqë nga statuti atë nenin, sipas të cilit sanksionohen anëtarët, të cilët dalin “kundër vendimeve dhe qëndrimeve të organeve të LDK-së”!

Kjo do një shqyrtim më të hollësishëm se sa në këtë ta quaj skicë timen, por po e them shkurt:

Është ky parim i “centralizmit demokratik” dhe, me sa di, në Kosovë nuk ka parti e cila nuk e respekton! Partitë e sotme në vendet më demokratike, si në ShBA e Britani të Madhe, kanë hequr dorë kaherë nga ky parim dhe, pos kufizimeve ideologjike, gjë që është e natyrshme, nuk kanë kufizime të këtij lloji!

Edhe përvoja do të duhej të jetë mësuese e mirë për këtë! E dimë edhe se në bazë të këtij neni dikush mund të përjashtohet nga partia për fjalë goje, por edhe të bëhet president (në rastin tonë: presidente!), qoftë për të mirë, apo për të keq! Po ashtu, e dimë se ka mundur të ndodhë edhe ndryshe: e përjashtuara të bëhet kryetare e partisë dhe partia tashmë të ishte në pushtet! Përsëri: qoftë për të mirë apo për të keq!

Nëse e bën këtë ndryshim LDK-ja, duhet ta jetë e gatshmë të ballafaqohet me vlerësimin se rrënimi i saj ka filluar me qëndrimin e saj vazal ndaj PDK-së dhe, në fund edhe hyrja në koalicionin e njohur si PAN!

Dhe, sigurisht, nuk duhet ta konsiderojë këtë si ngecje në të kaluarën, por si krijim i një konteksti politik, pa të cilin asnjë e ardhme nuk mund të mendohet dhe se pa të, kjo parti edhe nëse e merr pushtetin, është e sigurt se nuk do të bëjë asnjë reformë të thellë e të nevojshme në asnjë sektor në këtë vend!Kështu, emërtimi “Rruga e re” ngjan më shumë me atë që filozofi Herbert Marcuse thoshte për veprat e artit në epokën e konsumerizmit: secila duhet të quhet të quhet “e re”, mu për shkakun se në të nuk ka asgjë të re!

Duhet vënë në dukje se edhe organizimi territorial – heqja e aktiveve si njësia më e vogël organizative, ndonëse në dukje është njëfarë modernizimi, në fakt është bërë për ta heshtur zërin e bazës dhe për të fituar më shumë pushtet kreu i partisë.

Në përgjithësi, “centralizimi demokratik” i partive tona, ia zë frymën jetës politike, duke e bërë të mundur që ato të udhëhiqen vetëm nga grupe interesi, ndërsa anëtarësia të jetë pasuese e heshtur dhe pasive.

Dalja e qytetarëve në zgjedhje me parti kësisoji – siç e thotë bukur gazetari kroat Viktor Ivançiq – ndoshta është gjest demokratik, por shumë më tepër është akt mazokizmi: “Pse njeriu i ndershëm të bëhet bashkëpjesëmarrës në këso punësh të pandershme?!"