Ramush Haradinaj, në muajin e mjaltit paksa të zgjatur me shoqërinë kosovare, po i vazhdon edhe më tej fjalët e ëmbla e premtimet e mëdha, me gjasë pa e kuptuar fare se ato tashmë e kanë humbur joshjen magjike të fillimit. Me gjasë, duke mos e ditur se premtimet e mëdha në rast të mospërmbushjes së tyre shkaktojnë zhgënjime edhe më të mëdha, apo duke menduar se shoqëria apatike kosovare tashmë mund të gëlltisë gjithçka, ndonëse në mënyrë të tërthortë, ai dështoi në provën e parë praktike të dëshmisë se gjithë ato fjalë të mira, nesër do të mund të shndërrohen edhe në vepra të tilla.

Qytetarët, tashmë vërtet të helmuar e të terrorizuar vetëm me përshkrimin e përditshëm me tone gjithnjë e më të errëta të gjendjes në këtë vend, derisa asnjë mundësi reale për ndryshime ende nuk duket në horizont, mbase mund të kenë pasur mirëkuptim pse ai kësaj radhe ishte i kursyer në kritikat ndaj qeverisë aktuale.

Por, tash kushdo e ka të vështirë të besojë se ai vërtet do të mund ta bëjë edhe në vepër “mrekullinë” që e premton – qeverisjen “normale”, që në rrethanat kosovare vërtet do të thotë ndryshim radikal i gjendjes për të mirë - pas ndihmës që i dha pushtetit aktual në vazhdimin me shumë komoditet të mënyrës së njëjtë të qeverisjes me këtë vend. Votimi “për” i deputetëve nga partia e tij në parlament për zgjedhjen e kryesuesit të bordit të Agjencisë së Privatizimit nga radhët e partisë në pushtet, duke u veçuar nga dy partitë tjera opozitare që ishin kundër këtij emërimi, do të thotë as më pak, as më shumë se ndezja e dritës së gjelbër këtij pushteti, që vendin ta trajtojë – siç vlerësonte edhe vetë Haradinaj para ndonjë viti se po e trajtojnë – si “pronë private të udhëheqjes së tij”.

Edhe thotë se marrëdhëniet me Thaçin nuk i ka “as nxehtë, as ftohtë”! Nxehtë, Ramush, nxehtë, që ç‘ke me të!

Në rrethanat aktuale kosovare, nuk ka test më të mirë për të treguar përkushtimin e sinqertë të një qeverie sesa qasja e saj ndaj procesit të privatizimit, dhe zgjedhja e një njeriu me integritet – në pastë mbetur kush me integritet në këtë vend! – në krye të agjencisë përkatëse, do të ishte shprehja më e mirë se qeveria nuk e ka ndërmend që edhe më tej ta vazhdojë këtë proces si deri tash, rezultatet e të cilit, siç e dimë, kanë qenë katastrofale. Emërimi i një partiaku, ndërkaq, sado që ai të japë dorëheqje formale nga partia, në rrethanat e tashme, kur edhe nga vetë partia në pushtet ka vlerësime si i tërë procesi zgjedhor brenda saj s’ka qenë gjë tjetër pos një farsë për të nxjerrë në krye një oligarki, s’do të thotë gjë tjetër pos se kjo oligarki do të kontrollojë qeverinë dhe do të jetë pronare e gjithçkasë në këtë vend.
A mund të duket edhe pas kësaj Ramush Hardinaj si njeri që e kupton dhe e ndjen se deri në ç’shkallë janë katandisur gjërat në këtë vend dhe se ai mund të jetë faktor i rëndësishëm për të bërë ndryshime?

Vështirë, në mos e pamundur!

Në të vërtetë, ka disa shenja se kjo parti do të fillojë sillet më ndryshe nga praktikat e deritashme në të gjitha partitë, duke e lejuar zgjedhjen e udhëheqësve ndër më shumë kandidatë, apo, siç u pa nga Gjakova, që partia të mos i mbrojë me çdo kusht menaxherët e pasuksesshëm të ndërmarrjeve publike edhe kur ata janë nga radhët e saj. Por, derisa lëshojnë pe në momente të tilla vendimtare, gjithë kjo mund të duket vetëm një mimikri, apo fundja një evoluim i ngadaltë, me rezultate që mund të shihen në një të ardhme të mjegullt.

Me veprime të tilla, si ai i fundit i partisë së tij në parlament, Ramushi mund të dëshmojë vetëm se është edhe një notues i ri në barkën politike të Kosovës, e jo edhe reformatori i saj.

(Gazeta "Zëri", 5 mars 2013)