Bernie Sanders
Tetë vitet e fundit ishin tetë vitet më të ngrohta të regjistruara. Ky vit është në rrugën e duhur për të qenë më i nxehti i regjistruar dhe ky 4 korrik mund të ketë qenë dita më e nxehtë në 125,000 vjet.
Ndryshimet klimatike po e shkatërrojnë planetin. Po shohim përmbytje, thatësira dhe mot ekstrem, dhe zjarret po shkaktojnë dëme si kurrë më parë. Nëse qeveritë në mbarë botën nuk ndërmarrin menjëherë hapa vendimtarë të përbashkët, cilësia e jetës që u lëmë fëmijëve tanë dhe brezave të ardhshëm është në dyshim serioz.
Në të ardhmen e afërt do të shohim shkrirje të mëtejshme të akullit të detit Arktik, rritje të nivelit të detit dhe gjithnjë e më shumë përmbytje. Do të përjetojmë më shumë thatësira dhe ulje të prodhimit të ushqimit. Do të shohim dëme të mëdha të shkaktuara nga stuhitë e forta, tornadot dhe ngjarje të tjera ekstreme të motit. Do të shohim gjithashtu rënie të aktivitetit ekonomik dhe migrimin e miliona njerëzve për shkak të mungesës së ujit. Do të shohim ndryshime masive në të gjitha format e jetës detare për shkak të ngrohjes së ujit të detit dhe rritjes së aciditetit të oqeanit.
Gjatë javëve të fundit, kemi pasur mundësinë për të hamendësuar se si mund të duket ajo e ardhme distopike. Për shkak të zjarreve të paprecedentë në pyje në Kuebek, dhe më parë në Skocinë e Re, Kolumbian Britanike dhe Alberta, ajri në të gjithë Shtetet e Bashkuara ishte shumë i ndotur dhe i rrezikshëm për shëndetin. New Yorku, Washingtoni, Detroiti, Chicago, Milwaukee dhe qytete të tjera raportuan nivele rekorde të ndotjes. Të sëmurët kronikë nuk guxonin të dilnin nga shtëpia. Gjatë së njëjtës periudhë, Teksasi përjetoi një valë rekord të nxeht. Në Corpus Christi, indeksi i nxehtësisë – një kombinim i temperaturës dhe lagështisë – arriti në 51 gradë Celsius, afër kufirit mbi të cilin jeta e njeriut nuk është e mundur.
Për shkak të thatësirës së zgjatur, gjashtë shtetet e Perëndimit Amerikan që përdorin ujin nga lumi Kolorado ranë dakord së fundmi të reduktojnë në mënyrë drastike konsumin. Lumi që siguron ujë për 40 milionë njerëz dhe industrinë bujqësore prej pesë trilionë dollarë në vit po thahet. Shteti i Arizonës ka kufizuar ndërtimin në Phoenix për shkak të mungesës së ujërave nëntokësore, sepse disa parashikime treguan se në kushtet ekzistuese puset do të thaheshin.
Është e qartë se ndryshimi i klimës nuk është vetëm problem amerikan. Pavarësisht efektit të tij rrëqethës në Shtetet e Bashkuara, vendet aziatike me popullsi të dendur përballen me sfida edhe më të vështira. Niveli i detit në bregdetin kinez ka arritur vlerat më të larta të regjistruara për dy vite radhazi dhe po rritet më shpejt se mesatarja globale. Rreth 45% e gjithsej 1.4 miliardë banorëve të atij vendi jetojnë në bregdetin kinez dhe pjesa e tij në prodhimin e përgjithshëm ekonomik është më e madhe se 50%. Qytetet e mëdha përgjatë bregdetit të Kinës, si Shangai, Tianxhin dhe Shenzhen, janë në rrezik nga përmbytjet katastrofike në vitet e ardhshme, të cilat me siguri do të bëjnë kërdi në ekonominë kineze.
Vitin e kaluar, India përjetoi një sërë valësh të të nxehtit. Në disa pjesë të vendit temperatura ka arritur gati 49 gradë Celsius. Në vitin 2022, India përjetoi prillin e saj më të ngrohtë në 122 vjet dhe marsin më të ngrohtë në histori. Moti ishte ekstrem në 242 nga 273 ditët midis janarit dhe tetorit 2022. Parashikimet afatgjata tregojnë se deri në vitin 2050, valët e të nxehtit të Indisë mund të kalojnë pragun përtej të cilit jeta njerëzore është e pamundur. Valët e zgjatura të të nxehtit jo vetëm që do të shkaktojnë më shumë vdekje dhe sëmundje në Indi, por gjithashtu do të ulin prodhimin dhe do të rrisin më tej varfërinë.
Nga qershori deri në tetor 2022, shirat e dendur në Pakistan shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje të dheut me një normë dhjetë herë më të madhe se mesatarja kombëtare e 30 viteve të mëparshme. Përmbytjet prekën afro 33 milionë njerëz, dëmtuan 4.4 milionë hektarë tokë bujqësore dhe vranë 800,000 bagëti. Pas tyre, rritja e çmimeve të ushqimeve përkeqësoi nivelin tashmë të lartë të urisë dhe kequshqyerjes në atë vend. Numri i njerëzve që përjetojnë uri të rëndë është dyfishuar që nga përmbytjet e qershorit: sot, uria e rëndë prek 14.6 milionë njerëz në Pakistan dhe normat e kequshqyerjes janë edhe më të larta.
Ndryshimet klimatike po sjellin një dëm të madh njerëzor, ekonomik dhe mjedisor. Viti i kaluar u shënua nga nxehtësia ekstreme, thatësira dhe zjarret në pyje. Sipas të dhënave të deritanishme të vendeve, vlerësohet se në Evropën Perëndimore kanë vdekur të paktën 15.000 njerëz nga të nxehtit ekstrem: në Spanjë më shumë se 4.600, në Portugali më shumë se 1.000, në Britaninë e Madhe më shumë se 3.600 dhe në Gjermani. më shumë se 4500.
Ndryshimi i klimës ka pasur pasoja të rënda në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Kinë dhe vende të tjera të zhvilluara, por ka pasur ndikim edhe më të keq në vendet më të varfra të botës, të cilave u mungojnë mjetet për të mbrojtur popullsinë e tyre nga uria në rritje, sëmundjet dhe migrimi i shkaktuar nga përmbytjet dhe thatësirat. Këtu janë disa shembuj të raportuar nga Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së:
Temperaturat në Sudanin e Jugut po rriten me një normë dy herë e gjysmë se mesatarja globale. Kjo shkaktoi ngjarje ekstreme të motit, duke përfshirë përmbytjet për katër vjet rresht, të cilat lanë gjysmën e vendit nën ujë. Përmbytjet e paprecedentë kanë përfshirë pjesë të mëdha të territorit dhe pjesë të tjera po përballen me një thatësirë vdekjeprurëse. Sot, 64% e popullsisë (7.7 milionë nga gjithsej 12 milionë) është e prekur nga uria e rëndë.
Në shkurt 2022, Madagaskari u godit nga katër ciklone tropikale. Ato shkatërruan infrastrukturën, shkatërruan të korrat e orizit dhe shtynë 270,000 njerëz në mungesë ushqimi. Sot, më shumë se dy milionë njerëz janë të uritur në atë vend; ata nuk mund të mbijetojnë pa ndihmën humanitare.
Nuk ka fund të thatësirës në Somalinë jashtëzakonisht të varfër. Pesë sezone me shi munguan; të mbjellat u thanë dhe bagëtia ngordhi. Sot, 6.5 milionë njerëz po përjetojnë nivele krize të urisë.
Nuk është sekret që qeniet njerëzore hezitojnë të përballen me realitetin e dhimbshëm – veçanërisht kur ai kërkon përballjen me një forcë të veçantë interesi siç është industria e karburanteve fosile. Por këtë herë nuk kemi zgjidhje.
Planeti ynë po ngrohet me shpejtësi. Thatësirat, përmbytjet, zjarret në pyje dhe stuhitë ekstreme po na prekin gjithnjë e më shpesh. Uria, sëmundjet dhe migrimi njerëzor janë në rritje. E shohim çdo ditë në çdo pjesë të botës.
Në vend që të mohojnë atë realitet të dukshëm, në vend që të mbështesin kompanitë e naftës dhe qymyrit, në vend që të inkurajojnë një luftë të re të ftohtë me Kinën, anëtarët e Kongresit duhet të zhvillojnë ndërgjegjësim për nevojën urgjente për t'iu përgjigjur krizës globale. Bota duhet të bashkohet TANI dhe të përballet me kërcënimin ekzistencial. Nëse nuk e bëjmë, do t'i dënojmë brezat e ardhshëm me një të ardhme të pasigurt. Në emër të njerëzimit, ne nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë.
(The Guardian , 07. 07. 2023)
Ndryshimet klimatike po e shkatërrojnë planetin
Nëse nuk do të ketë veprime të guximshme dhe të menjëhershme për të adresuar krizën klimatike, cilësia e jetës që po ua lëmë fëmijëve tanë është shumë në pikëpyetje.
