E tha këtë para do kohe Ramush Haradinaj, i cili që atë mbrëmje nëntori, kur aterroi nga Haga dhe, - siç i vërejnë ndryshimet njerëzit që s’na kanë parë një kohë të gjatë, në fytyrat e qytetarëve të tubuar e pa depresionin - nuk e pushoi fushatën për shumëçka të çuditshme të kërkimit të mandatit të kryeministrit, derisa vendi e kish një kryeministër dhe zgjedhje s’ishin shpallur. Dhe premton - “mrekulli”!

Retorikë e sforcuar me stoli të tepërta stilistike?

Aspak! Në një vend, në të cilin është vështirë të gjesh një projekt të nisur nga motive të vërteta “për të mirën e qytetarëve”, e edhe më vështirë një të tillë të realizuar qysh duhet, e të mos flasim për atë se mu kryeparlamentari i vendit e thotë se “korrupsioni është shtrirë vertikalisht e horizontalisht” dhe qeverinë në pikë të ditës e akuzon për korrupsion, madje edhe për krim të organizuar(!) - që puna normale e pushtetit të quhet “mrekulli” nuk është aspak teprim, por fjala më e saktë dhe më e qëlluar!

Po pse duhej besuar Haradinajt se mund të bëhej kryeministër, e pastaj edhe se do të bënte “mrekulli”?

Së pari, qeveria aktuale vërtet është në zor për numrat në parlament, por sigurisht jo edhe aq sa t’ia dorëzojë postin e kryeministrit dikujt tjetër, madje është vështirë edhe të imagjinosh një situatë në të cilën partia në pushtet do ta bënte një flijim të tillë. Por, kur dikush e thotë një gjë aq të papritur e të pabesueshme, vihesh në situatë ose t’i besosh, duke menduar se ai vërtet e ka një kartë të fortë të fshehur në mëngë, ose ta shpallësh si njeri i cili ka shkalluar bukur mirë në aftësinë e perceptimit të realitetit. Përkrahja pa asnjë rezervë që i dha procesit të bisedimeve me Serbinë, në një shoqëri të gatshme për të konsumuar teoritë e komplotit, hapte po ashtu mundësinë e spekulimeve se “u shit”, dhe se truku i vendosjes së tij në fronin e kryeministrit mund të bëhet lehtë me ndihmën e “ndërkombëtarëve”.

Por, Ramushi jo që s’e ka humbur ndjenjën e realitetit, po duket më i kthjellti nga të gjithë. “Shoqëria kosovare është e traumatizuar”, tha në një intervistë, duke u shprehur kështu për herë të dytë me terma të psikologjisë sociale, ndërsa me fjalët të matura që i përdor gjatë tërë kohës, sikur tregon qasjen e tij se në një atmosferë të tillë nuk duhet fryrë më shumë zjarrin e histerizimit të mëtejmë të kësaj shoqërie, gjë që ndonjë lider tjetër e bën pa kursim.

“Mrekullia” që ai premton, qeverisja e pahile, pa ambicie për t’u pasuruar vetë apo bashkë me familjen e me farefisin e tij, pa synime që oligarkinë ekzistuese ta ndërrojë me një të re dhe besimi se magjia e një kryeministri që s’korruptohet do të zbresë ngadalë teposhtë tek zyrtarët tjerë shtetërorë dhe do të shtrihet më pas për së gjeri në të gjithë damarët e shoqërisë së sëmurë – është vërtet mrekullia të cilën, hiq ata që veprat e tyre të shëmtuara i mbajnë të shtrënguar fort në të kaluarën dhe përkundër helmimit masiv të popullatës me klientelizimin partiak - e presin të gjithë njerëzit e këtij vendi.

A mund të ofrojë me demagogji dikush një “magji” të tillë? A mund t’i ushqejë kush rrejshëm shpresat më të thella kështu të një vendi të dëshpëruar? Apo Kosova më në fund është në rrugë të mirë të fitojë një prijës, i cili do të mund t’i drejtohet kombit të tërë?

Ramushi ka kaluar nëpër shumëçka në jetën e tij, por nuk lë përshtypjen se ka mbetur peng i së kaluarës. Pastaj, ndonëse u ofrua në një mënyrë të parëndomtë për postin e kryeministrit, tërheqja në një kohë të durueshme nga kjo “lojë” e pa bërë ndonjë kompromis në kërkesat e tij, besoj se nuk ua ka humbur koherencën qëndrimeve të tij. Por, tash e tutje askush nuk ka nevojë t’i besojë në fjalë.

Kjo shoqëri tashmë i ka shijuar të gjitha rrenat, të gjitha premtimet e mundshme boshe të politikanëve, i njeh të gjitha truqet dhe mashtrimet e tyre. Ramushi “i vërtetë”, prandaj, do të zbulohet në çdo ditë, në çdo hap që e qet: me mënyrën si i bën zgjedhjet partia e tij, si i josh njerëzit në parti, transparencën e veprimeve dhe, mbi të gjitha, si i fiton paratë për jetë e për parti.

Në këtë vend nuk ka jetë më të gjatë se një ditë me asnjë mrekulli.

(Zëri, 10 shkurt 2013)