Dush Gashi

Teoria thotë se kur një media zbulon një skandal të madh, edhe mediat tjera duhet të bashkohen në atë temë, përndryshe e humbin garën në tregun medial.

Për shembull, pas zbulimit të Kohës ditore se, pas atyre 58 milionëve të “Bechtel &Enka”-s po hetohen edhe 44 milionë të tjera, lajmin për këtë dhe për ndonjë zbulim të ri me këtë temë do të duhej ta shohim në të gjitha mediat e Kosovës.

Por, nuk ndodh kështu. Në portale mund të shohësh nga disa lajme për Shkretën e 50 mijë eurove apo se si Zafir Berisha e Totaj po grinden s'di se për çka, por asnjë për 44 milionët!

A e dini pse? Për arsyen e thjeshtë se këto nuk janë media për të informuar, po për të manipuluar!

Ndër dhjetë strategjitë për manipulimin e publikut, Noam Chomsky të parën në listë e vë zhvendosjen e vëmendjes.

Kjo nënkupton që vëmendjen e publikut nga problemet e rëndësishme ta zhvendosësh tek ato të parëndësishme. Ta ngarkosh publikun më vërshimë informatash të parëndësishme, në mënyrë që njerëzit të mos mund të mendojnë dhe të arrijnë njohuritë themelore në të kuptuarit e botës.

Ja, pra, për çka shërbejnë deklaratat histerike të shumë analistëve, konferencat e përditshme të shtypit, titujt sensacionalë të portaleve!

Në këtë rrëmujë as që mund të zhvillohet dialog racional e as të dihen problemet e vërteta.

Sepse, çdo dialog normal do të nxirrte në shesh se, sado i dobët të jetë pushteti aktual, partitë opozitare jo që nuk janë zgjidhje, por se kanë humbur kaherë të drejtën morale madje edhe vetëm të mendojnë për ta qeverisur këtë vend!

(Kosovanews.net, 26 qershor 2022)

***

A dini çka është liria...?!

Ai ka një media, të cilën nuk e dimë kush ia financon as sa para merr, e do të duhej ta dinim! Në atë media ai s'bën gjë tjetër, pos se e përkrah një parti politike, apo edhe më saktë - një grup interesi, sepse ajo parti për të mbrojtur atë grup interesi është formuar.

Ai e sheh jetën e politikën bardhë-zi, bardhë është opsioni i tij politik, gjithçka tjetër është zi. Ironitë e tij, edhe pse ndonjëherë mund të duken kreative, bëhen shpejt të mërzitshme, sepse janë gjithmonë në të njëjtin funksion, klishe deri në neveri.

Ai, si dhe grupacioni i tij politik, ka gjetur një mënyrë shprehjeje sa ia del bukur me sukses në shikim të parë ta relativizojë edhe korrupsionin e madh e hajnitë e grupacionit të tij politik, sa ta turbullon mendjen aq sa duhet të ndalesh e të mendosh mirë për të mos rrëshqitur në atë vorbull të logjikës së kthyer mbrapshtë!

Ajo media është shembull tipik i manipulimit medial të qytetarëve, e lojës së ulët të shndërrimit të informimit në propagandë e shpëlarje truri!

Ai - për fat të keq jo edhe i vetmi - mbledh rreth vetes përcjellës të cilëve nuk u intereson liria e shprehjes dhe e vërteta, pos dëshmimi i lojalitetit politik, nënshtrimit apo qëndrimit në raport klientelist me atë grupacion politik.

Ai përpiqet ta mbajë këtë popull në pa liri pikërisht duke u thirrur në lirinë!

E ju, disa nga miqtë e mi, ndër ta edhe gazetarë, madje edhe ndonjë redaktor, ia përcillni e ia pëlqeni postimet?

Më shumë dëshpërim ju pyes:

A dini çka është liria, e vërteta, gazetaria, informimi...?

(Facebook, 2 janar 2022)