Po i bërtet burri gruas:
- Po mirë moj, po ku mbeti pluhuri nga televizori?
- E fshiva!
- I pata shkru aty do numra të rëndësishëm!
Mësimi i historisë
E vret Hasa turkun në mjedis të çarshisë.
- Pse e vrave? - i thonë.
- Po ata na kishin pas sunduar për 500 vjet!
- Po kaherë ka qenë kjo!
- Po unë dje e mora vesh!
Oferta për punë
Në zyrën për punësim:
- Unë kërkoj punë - thotë një palë.
Referentja i përgjigjet:
- Ja, 5000 euro neto, tre muaj pushim vjetor, automobil zyrtar, koha e punës prej orës 10 deri në 15...
- Ju po luani me mua?
- E kush ia nisi i pari?!
Arsyeja për t'u ndarë
Bisedon avokati me klienten, e cila don të ndahet nga burri. E pyet:
- A pi burri juaj?
- Jo, nuk pi!
- Drogë?
- Jo, s'ka haber ai ç' është droga.
- Fiton pak?
- Jo, ka pagë të mirë, dy mijë euro.
- Ju rrahë?
- Jo, as mendja nuk i shkon.
- Nuk kujdeset për fëmijë?
- Kujdeset shumë mirë për ta.
- Ju mashtron?
- Kurrë nuk më ka mashtruar, nuk është ai i tillë.
- Nuk ju ndihmon në shtëpi?
- Më ndihmon. Shumë punë i bën.
- Po cila është arsyeja, pra, për t'u ndarë, zonjë e dashur?
- Të gjitha i bën ai, por ta shohësh se me çfarë shprehjeje në fytyrë...
Avoketët
E akuzojnë një zyrtar për shpërdorim të një shume të madhe parash. Miqtë, duke e njohur si njeri të ndershëm i thonë të mos brengoset, se e vërteta del në shesh. Por ai, i shqetësuar, u thotë:
- Asnjë avokat nuk po do të më mbrojë, po ikin me vrap kur po u tregoj se nuk i kam vjedhë ato para!
Hija në derë
Mbrëmje vonë, në shtëpinë e Mujës po troket dera. Del ai dhe para derës një si hije.
- Jam vdekja - thotë. - Erdha të ta marr shpirtin.
Muja:
- Fatë, shpirt, dil se po të kërkon dikush!
Ujë bëhet benzinë
Pas një vozitjeje të shkurtër me automobil, në të cilin ndodhej një vajzë e bukur, djali ndalon befas në një vend të fshehtë, me arsyetim se "motori diçka nuk është në rregull". Pasi shikon pak motorin, thotë:
- Nuk po kuptoj çfarë ka ndodhur, sikur benzina papritur është shndërruar në ujë! Ç'të bëjmë tash?
Vajza i përgjigjet e qetë:
- Tash ti do të kthehesh në veturë, do të provosh të më puthësh, e unë do t'i jap nja dy shuplaka dhe uji përnjëherë do të shndërrohet në benzinë.
Gjyshja në gjyq
Në gjykatë prokurori e thërret dëshmitarin e parë, një gjyshe afro 80 vjeçe, dhe e pyet:
- Zonjë, a me njihni mua?
- Si të mos ju njoh, zotëri. Ju njoh si fëmijë, por më duhet t'ua them sinqerisht se jam shumë e dëshpëruar me ju. Gjithmonë keni rrejtur, i keni përgojuar njerëzit e keni manipuluar me ta. Ju mendoni se jeni facë e madhe, po në fakt nuk keni tru sa të mizës. Po, unë ju njoh mirë...
Prokurori, krejtësisht i hutuar, pyet më tej:
- Po a e njihni zonjë avokatin e pranishëm këtu?
- Po, sigurisht se e njoh edhe atë zotëri. Ai është dembel, mashtrues dhe ka probleme me alkool. Ai nuk mund të vërë marrëdhënie normale me askënd dhe ka namin e avokatit më të keq në vend. Të mos them se e mashtron gruan e tij me tri të tjera, ndër të cilat është edhe e juaja. Po, po, e njoh mirë...
Avokatin sa nuk e lëshoi zemra.
Gjykatësi urdhëroi dy avokatët t'i afrohen dhe me zë të qetë ju tha:
- Dëgjoni ju dy idiotë, po ndodhi dhe ndonjëri prej jush e pyeti gjyshen se a më njeh mua, shkuat të dy në burg...
Dashuri me kushte
Një djalë i shpreh dashuri një vajze, e ajo ia kthen:
- A i ke ti dy makina Mercedes?
- Nuk i kam.
- E shtëpinë me dy kate?
- Nuk e kam.
- Atëherë s'mund të ketë asgjë mes nesh!
Djali, i brengosur, shkon te i ati për t'u këshilluar se si t'ia bëjë. Babai i thotë:
- Bir, në qoftë se vërtet e do, atëherë shite Lamorghinin dhe Ferrarin dhe blej ata dy Mercedesë, por që t'i rrënojmë katër kate të shtëpisë - kjo vërtet nuk ka kuptim!
Rrëshqitja në pus
Një famullitari i vjetër, në një fshat italian, u kishte thënë grave, të cilat gjatë rrëfimit tregonin se e kanë tradhëtuar burrin, meqë u vinte zor, kur është fjala për këtë të thonë "kam rrëshqitur në pus". Por, pas një kohe vjen famullitari i ri, dhe ai nuk e dinte këtë marrëveshje. Vjen gruaja e parë të rrëfehet dhe, ndër tjera, thotë se ka "rrëshqitur në pus".
- O, po a u lëndove? - pyet famullitari.
- Jo, jo - thotë gruaja.
Dhe kështu gratë vinin njëra pas tjetrës. Meqë shumë sosh thoshin se kanë rrëshqitur në pus, famullitari një ditë shkon te kryetari i bashkisë dhe i kërkon të ndërmarrë diçka për atë pus. Krytari i bashkisë, i cili e dinte kodin e priftit të vjetër, shpërthen në gaz.
Prifit ia kthen:
- Ani, qesh ti, qesh. Por edhe guaja jote ka rrëshqitur nja dy herë!
Marsiani në bar
Një barmen në New York po rrinte mbështetur mbi banak. Kur, çka me pa, hyn një marsian! I vogël, i gjelbër, me antena në kokë, krejt i ka! Barmeni shtanget nga habia.
- Çka po habitesh! Qitma një uiski! - thotë marsiani.
Ia qet barmeni uiskin dhe marsiani po e pin eks. Po pyet sa kushton, barmeni thotë dhjetë dollarë. I paguan marsiani dhe po niset me dalë.
Barmeni po ndjen nevojë t'i kërkojë falje për gjithë atë habi dhe po i thotë:
- Më fal, po për besë nuk më ka ra me ardhë një marsian në barin tim.
Marsiani ia kthen:
- Natyrisht që nuk vinë, deri sa e ke uiskin dhjetë dollarë!
Të prapambeturit
Kthehet Hasa prej Suedie. E pyesin kureshtarët në fshat:
- Si ishte atje, si po jetonin?
Hasa:
- Kishin mbetur prapa, së paku tridhjetë vjet...
- Si mendon Hasë, kishin mbetur prapa?
- Ashtu. Atje ende po jetohej mirë!
Simit në hi
Barinjtë, diku në Rugovë në një kohë të shkuar, të tubuar rreth zjarrit. Njëri u tregon se ka qenë në Pejë dhe ka hangër simit. Ua vizaton me shkop një rreth në hirin e zjarrit, për të treguar madhësinë e tij.
- I vogël paska kenë, - i thotë njëri.
- Po, unë këtu në hi mund ta vizatoj sa të duash të madh, po ai simitxhia s'e bân ma të madh.
(E treguar deri sa bëheshin debate rreth Gjykatës së Hagës...!)
Qysh me u veshë, qysh me dale...
Mami, a mund të vesh mini fund?
- Jo!
- A mund të vë buzëkuq?
- Jo!
- A mund të vesh taka?
- Jo!
- Por mami, unë i kam 18...!!!
- E di, Bujar, e di...
