Dush Gashi

Tash nuk e di sa, por e di se kanë kaluar vite qëkur e pashë për herë të parë afër ashensorit të ndërtesës. E zeza futë ia shquante më shumë sytë fluoroshentë dhe dukej e shqetësuar, prandaj mendova se është mace endacake. Vetëm më vonë do të kuptoj se macja, dhe pronarja e saj, Adriana, një vajzë, e cila jetonte në katin e dytë, ishin banorë të rinj në ndërtesën tonë.

Takimet me macen e Adrianës pastaj kanë qenë të shumëta. Herë e gjeja para derës së hyrjes, duke pritur që dikush t'ia hapë për të dalë apo të hyjë, duke më impresionuar me inteligjencën e saj, sepse gjithmonë qëndronte saktësisht jashtë vijës së harkut, të cilin e krijon dera që hapet. Ndonjëherë e shihja tek zbriste shkallët, duke mjaullitur, shenjë kjo se duhej ta përcillja deri te pragu dhe t'ia hapja derën. E takoja edhe bashkë me të zonjën, rëndom mbrëmjeve, me të cilën bisedonim shkurtas në oborr.

Adriana më tregonte ndonjëherë se gratë e hyrjes kishin filluar të hedhin fjalë se "po na ndotë", apo "se po përhap qime", duke dëshmuar kështu mosdurimin provinicial ndaj atyre që janë "ndryshe" dhe zilinë e pavetëdijshme për lirinë më të madhe të Adrianës. Përndryshe, askujt s'kish se si i vinte ndot nga një mace aq e pastër e aq me naze. Por, ky nuk është shkaku pse po ju tregoj për Maun, macen e Adrianës.

Pas takimeve të para, dukej se ajo kishte krijuar njëfarë besimi tek unë, ndonjëherë nuk rezistonte edhe ta ledhatoja, por shihej se këtë e bënte pa dëshirë dhe unë nuk insistoja më shumë. Deri në një ditë.

Ndodhi kjo dhjetorin e kaluar. Kishte rënë një borë e re dhe unë i fotografoja bimët e oborrit me pamje të bukur. Adriana, e cila ndodhej pak më larg, më tregon të fotografoj diçka të veçantë mes bimësh. E shoh macen e saj, tek qëndronte në një pozë madhështie, por shpejt ndërroi vend dhe nuk munda ta fotografoj.

Pastaj ajo e mori dhe unë fillova ta ledhatoja ashtu në krahë të saj. Për habinë time, jo vetëm që e pranoi ledhatimin, por filloi të përdridhej e të më ngjitej me shumë afërsi!

Mau, më në fund, më kishte pranuar plotësisht!

Por, miqësia ime me Maun nuk zgjati shumë. Në fillim të këtij viti Adriana iku në Berlin me gjithë të. Dhe, kurrë nuk do ta besoja se do të më merrte malli aq shumë për atë mace!

Nuk është shkak për këtë se Mau pat filluar të më donte. Unë i dua kafshët, po nuk jam aq tip emocional dhe nuk më bëhet dert pse nuk më duan disa njerëz, e lëre më një mace. Por, ajo që më tërheq nga Mau është karakteri i saj i fortë! Kaq vjet më kishte "studiuar", në mënyrë që në fund ta pranonte plotësisht miqësinë me mua!

Dhe, a e kuptoni pse? Për shkak se një karakter të tillë njerëzit rrallë e kanë!

(Fb, 11 shkurt 2022)