Dush Gashi

Fjalët e tyre na vinin si ilaç në plagë. E përcjellin dhe e njohin dramën e Kosovës që nga kohët më të vështira të saj dhe në analizat e tyre e artikulonin gjendjen, synimet dhe mundësitë tona më mirë se ne. Mbi të gjitha, na e mbanin shpresën gjallë, duke na e bërë të ditur se dikund në botë ekziston dikush që gjërat i shikon me drejtësi.

Ekspertë të zotët e udhëheqës të inistitucioneve prestigjioze, ata flasin edhe sot dhe janë udhërrëfyes i mirë për politikanët tanë, por edhe për qytetarët e Kosovës, që t'i formojnë qëndrimet e tyre politike.

Janusz Bugajski, Daniel Serwer, David Phillips dhe analistë të tjerë, qëkur Hashim Thaçi mësyu bashkë me Vuqiçin me projektin për "korrigjimin e kufijve", "këmbimin e territoreve", a si quhet ndryshe, por se në të vërtetë çfarëdo emri t'i vënë ai është vetëm eufemizëm për ndarjen e Kosovës - e thonë pareshtur se kjo është ide e gabuar.

Ata nuk mbajnë anë, madje as anën e Amerikës. Serwer, ndonëse nuk beson se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë prapa manovrës juridike që bëri që Ramushi të japë dorëheqje, megjithatë e tha se nëse është kështu, ata kanë bërë një gabim të madh. Para do kohe, me rastin e zgjedhjeve në Shqipëri, David Philips e kritikoi qëndrimin e qeverisë amerikane për mbështetjen e zgjedhjeve njëpartiake në Shqipëri.

Ata nuk do të ishin aty ku janë e as ata që janë po të mos e thonin të vërtetën. Amerika e çmon të vërtetën. "Mohimi i fakteve bie ndesh me demokracinë, mund të jetë shkatërrimi i saj", thoshtë në një fjalim të tij vitin e kaluar ish presidenti Barack Obama, duke u angazhuar për mbrojtjen e medieve të pavarura.

Si të këtillë, ata ishin edhe dëshmia më e mirë se ideja e Thaçit e Vuqiçit ishte e gabuar dhe e dëmshme. Por, Thaçi nuk ua vuri veshin. Ai nuk e dëgjoi madje as një David Philips, të cilin vetë e kishte angazhuar si këshilltar të tij. Pasi që disa herë kishte kundërshtuar idenë e ndarjes apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe kishte thënë se është alternativa më e keqe për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve, Philips në fund edhe ka dhënë dorëheqje nga kjo detyrë.

Duke dëshmuar integritet të lartë moral e profesional, Philips ka thënë se nuk mund të marrë pjesë në një plan të propozuar për ndarje, që ka të meta strategjike dhe që në thelb kundërshton vlerat e tij.

Kush dha dorëheqje në Kosovë, për shkak se diçka "kundërshton vlerat e tij"? Athua të gjithë këshilltarët e Thaçit pajtohehen me idetë e tij? Apo vetëm janë pjesë e oportunizimit shkatërrimtar, i cili e ka përfshirë gjithë Kosovën? Në fund të fundit, e kush është një Hashim Thaçi të mbetet, ndërsa një David Philips të shkojë!

Në krizën e tanishme (apo, më saktë, një vale të re të saj, sepse kriza është gjendje e përhershme në Kosovë), ishte Daniel Serwer, i cili u gjend afër nesh, me praninë e tij, me këshillat e tij.

"Para se të kthehet në bisedime me Beogradin, Prishtina do të ketë nevojë për më shumë unitet sesa që ka pasur gjatë qeverisjes së Ramushit. Këshilla ime për këdo që vjen në pushtet: Mënyra e vetme për të arritur një marrëveshje të mirë do të jetë largimi nga një marrëveshje e keqe dhe mënyrë e vetme që një marrëveshje e mirë të zbatohet është duke e bindur shumicën e qytetarëve se ajo është e mirë."

A mund të shpërfillen këshillat e këtij burri të mençur e të ndershëm?
Mundet. Vetëm se, në këtë rast, duhet t'i thuhet: "Lermë! Çfarë ke ti? Dua t'ia vë zjarrin shtëpisë sime".

(InfoGlobi, 23. 07. 2019)