Dush Gashi

Cilido kosovar, që ka qenë në moshë të dijë për veten e për botën më 24 mars të vitit 1999, sa të jetë gjallë, paralel me faqet e reja që do t'i mbushë në ditarin e jetës së tij, në kujtesë do ta shfletojë edhe ditarin e ditëve plot ankth të asaj pranvere të paharrueshme, dhe në mbrëmje të kësaj dite do të kthejë kokën kah vendi, ku e ka parë shkrepëtimën e bombës a raketës së parë të NATO-s, duke përjetuar çastin e frikshëm, si të ditës së kiametit, e shpresëdhënës njëkohësisht, që e ndërron rrënjësisht historinë.

Dhe, pas gjithë atyre vuajtjeve biblike, llahtarie e viktimave, domosdo se një shpagim do të kërkojë në të arriturat e jetës në liri.

Fatkeqësisht, kushdo që tash e bën një lloj bilanci të tillë, gjithsesi do të ndjehet i zhgënjyer se, pas 12 vjetësh liria nuk e ka shijen e plotë.
Varfëria në Kosovës, për shembull, të cilës më nuk nund t'i gjendet krahasim në Evropë, madje as në Afrikë, pos në pjesën nënsahariane të saj, pastaj izolimi i pashembullt i qytetarëve të saj, e bëjnë me shije të hidhur lirinë.

Për shumëçka fajtorin e gjejmë - e këtë kemi filluar ta bëjmë gjithnjë e më me lehtësi - jashtë nesh: në udhëheqjen "koloniale" ndërkombëtare dhe pavarësinë e shpallur vonë, në Serbinë si ujkun që "qimen e ndërron e adetin s'e harron", në mospranimin ndërkombëtar të Kosovës...

Por, si mund të kenë të tjerët faj për, siç vlerëson Komisioni Evropian, për politikën e lidhur me krimin e organizuar?! Si është e mundur që vetëm për një vit, numri i zyrtarëve të atakuar nga kallëzimet penale të Agjencisë Kundër Korrupsionit të arrijë në mbi 650 sish, që do të ishte tepër edhe për Kinën e madhe popullore? Sa ka edhe të tjerë të pazbuluar e "peshq të mëdhenj", të cilëve s'guxon t'u qaset kush? Sa nga këta keqbërës janë denoncuar nga njerëz parimorë e të drejtë, e sa nga intrigantë, të cilët vetëm u lakmojnë pozitave të tyre? Si është e mundur që kosovarët, të cilët në të '90-tat i bënë ballë, sekush në mënyrën e vet, regjimit të egër serb, tash të kenë humbur guximin qytetar deri në atë shkallë sa korrupsioni është shndërruar në vlerë kombëtare? Apo, mos e shikojmë me shumë romantizëm atë periudhë tepër të vështirë të historisë sonë?

Me gjasë, pyetja etike e Heinrich Böllit "Ku ishe ti, Adam?", në romanin e tij homonim, mund të shtrohet njësoj për kosovarët:

- Ku ishe ti Dush, Hashim a Blerim, në kohën e okupimit të rëndë serb, gjatë viteve të nëntëdhjeta, dhe të lëvizjes për pavarësi?

- I ishe vënë pas Ibrahim Rugovës, duke menduar se i kontribuoje lirisë, apo se mendoje se, kur ta marrë ai pushtetin, edhe ti do të kesh një hise të mirë në të?

- Apo të pëlqente të mbaje fjalime të zjarrta në diasporë, duke grumbulluar para për lëvizjen, por edhe për vete?

- Ndjeheshe mirë edhe në pushtet të papushtet?

- E kundërshtoje Rugovën pse kinse dukej "i butë", apo se në të vërtetë po na hasmëron me Serbinë?

- Përfitoje nga shleperët e tregtisë, në të zezë a në të bardhë, të dyja me izën e Mirës Markoviq?

- Mendoje se ylli i idealit tënd është shuar bashkë me Titon dhe kohën e tij të artë, prandaj mbaje paanësinë më të patrazuar në botë?

- Hyre në luftë i nxitur nga motive romantike, apo aspak romantike?

- U zure në kurthet e rrjeteve të shërbimeve sekrete, apo veprove lirisht, sipas bindjeve dhe idealeve tua dhe për interesa të popullit..?

Si duket, të nëntëdhjetat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen tonë kolektive. Me gjasë, katandisja që e vetmja vlerë e kësaj kohe të jetë të qenit në pushtet, qoftë edhe me vota të vjedhura, apo të krijimit të pasurisë pa zgjedhur mënyra, flet për rëndim ndërgjegjesh në atë kohë.

Prandaj, mungoi dikush - sipas vlerësimit të Adam Michnikut - me mençuri të madhe politike dhe guxim qytetar të thotë, atë që në maj të vitit 1945 ua tha njerëzve të Lëvizjes së rezistencës Léon Blum, ish-premier i Francës dhe kundërshtar konsistent i mareshalit Pétain. E, ai (cituar sipas A. M.) tha:

"Nga ana ime, mendoj se pjesëmarrja në Lëvizjen e rezistencës askujt nuk i jep të drejtë në pushtet. Në rendin demokratik askush nuk e ka që më parë të drejtën për pushtet. Populli sovran ka të drejtë për mosmirënjohje. Në qoftë se do të pranohej se çfarëdo shërbimesh kujtdo qoftë i japin të drejtën për pushtet, atëherë do të mund të arsyetoheshin të gjitha diktaturat. Sepse, nuk ka diktatura të cilat në fillim nuk do t'i bënin popullit të vet shërbime të mëdha, të vërteta apo false."

Natyrisht, a nuk jemi në diktaturë, por edhe kjo demokracia jonë e brishtë pak dallim prej saj ka.

(Editorial ditores "Zëri", më 26 mars 2011)