Dush Gashi
Nga një roman italian (kam harruar cilin) mbaj mend këtë episod: një djalë i varfër katundi, në ditët e para të qëndrimit në një shtëpi zotërinjsh, vëren me habi se ata nuk flasin për ushqimin, e kanë të mjaftueshëm, është gjë e nënkuptueshme, mendojnë për gjëra të tjera. Në shtëpinë e tij kjo ishte temë orë për orë, ditë për ditë.
Në një roman të autorit kroat Kërlezha mbaj mend përafërsisht këtë fjali: Një grua nga fshati, e goditur shërbëtore, mendonte se të jetosh mes zotërinjsh është të mos kesh çka brengosesh më për telashet e kësaj jete.
Nuk do t'i kisha mbajtur mend këto situata, sikur të mos kishin qenë shpjegim i mrekullueshëm për një ndjesi të cilën e hasja te shumë njerëz ndër ne: idenë se të jesh në punë e me pagë të shtetit është po kështu - sikur i heq qafe përnjëherë të gjitha problemet e kësaj bote.
Të kesh boll për të ngrënë, madje të hash si zotëri, ende është mit në këtë vend. Shihni disa postime në Facebook, sikur kanë këtë motiv: Unë ia dola, po ha!
Më ranë në mend këto nga darka e mbrëmshme te Pacolli. Mund ta kem gabim, po tash më duket se kësi njerëzish i kemi udhëheqës. Dhe ndjenjën e të qenit i pangopur nuk ua heqin as drekat e darkat, as udhëtimet me aeroplanë, as shpenzimet e pa hesap, as milionat...
Di edhe të kundërtën. Njoh njerëz të qytetit, të cilët kurrë s'kanë qenë në zor për para, por ushqimi i tyre më i shpeshtë është „pesë copa me gjysmë pitalke“. "Vetëm thuej piqi mirë, dhe shtojau edhe një spec djegës".
Është vetëm faqja tjetër e së njëjtës monedhë: Edhe tërë pasuria e botës nuk ua heq ndjenjën se paratë janë vetëm për ditë të zezë. Honoré de Balzacu i miri, i cili gjithmonë e ka parë botën me kthjelltësinë e fëmijës, e ka vërejtur mirë këtë karakter para gati 200 vitesh, në Paris. Dhe e ka përjetësuar nën emrin Felix Grandet, në romanin e tij "Eugénie Grandet".
Prandaj duhet lexuar libra, të vjetra e të reja. Dhe është mirë të kesh udhëheqës, të cilët kanë bile disa libra. Për Bill Clintonin kam lexuar se ditët e pushimit më me dëshirë i ka kaluar në shtëpi, duke lexuar ndonjë libër. Dhe jo vetëm nga ato që tregojnë se jemi popull i lashtë, të cilat na bëjnë të ndjehemi krenar, por jo edhe t'i kuptojmë problemet e sotme. Mbase do të kuptonin se karaktere të tilla janë krijuar nga jeta brez pas brezi në varfri e në pasiguri të përhershme.
Dhe do të angazhoheshin për një shoqëri më të pasur e më të drejtë.
(DialogPlus.ch, 5 shkurt 2018)
