Dush Gashi & Lumnije Morina 

Duhet të ekzistojë një ligj i panjohur, sipas të cilit, në një kohë të caktuar - siç po ndodh kohët e fundit te ne - një numër i caktuar fjalësh e trajtash gramatikore të përdoren rregullisht gabimisht nga gazetarët e medieve tona të shkruara dhe ato elektronike, si dhe nga personalitete publike që paraqiten në to.

Me gjasë, shembujt e këqij imitohen më shpesh e më lehtë dhe përhapen si ndonjë epidemi ndër ata që nuk kanë njohuri paksa më të qëndrueshme të gramatikës.

I quajtëm “Fjalët që s’i di askush”, një teprim ky stilistik, ndonëse disa prej tyre kanë vërshuar aq shumë, sa, me gjasë, lektorët janë dorëzuar përfundimisht në luftën kundër tyre. 

Të fillojmë, pra, së pari prej atyre më të lehtave.

Library s’është librari

Dallon vetëm me një shkronjë nga fjala shqipe, por megjithatë nuk e ka kuptimin e njëjtë me atë së cilës i ngjet kaq shumë. Kjo i bën shumë përkthyes filmash, që fjalën library (ang.), pa u hamendur për asnjë çast, ta përkthejnë librari. Epo, nuk është librari, por bibliotekë. Në të vërtetë, që të dyja këto fjalë në rrënjë e kanë fjalën libër, vetëm se e para latinisht, liber, dhe e dyta nga greqishtja e lashtë, βιβλιο (biblio) dhe të dyja kanë të bëjnë me librin: libraria është dyqani në të cilin shiten librat, ndërsa bibilioteka vendi a institucioni ku ruhen dhe huazohen ato. 

Megjithatë, përkthyesit e filmave duhe të marrin një mësim: se për të qenë përkthyes të mirë duhet ta dinë mirë gjuhën prej së cilës përkthejnë, por edhe gjuhën e tyre, si dhe të kenë dije sa më të gjerë nga shumë lëmenj. 

Njëjtë s’është njësoj

Përcillini me vetëm pak vëmendje lajmet në gazeta dhe televizion, dhe do të bindeni se gati s’ka ditë që nuk përdoret fjala mjaft e rëndomtë, njëjtë, dhe atë gabimisht. Thuhet kështu: “Njëjtë foli (apo: u shpreh) edhe ai...”, “Njëjtë mendon edhe ai...”, madje mund të gjesh fjali të formuluara edhe kështu: “Njëjtë është situata edhe në...”

Gabimi qëndron në faktin se njëjtë është mbiemër, që do të thotë se para tij duhet të jetë nyja i apo e, varësisht se për cilën gjini bëhet fjalë. Pra, mund të thuhet se dikush apo diçka është i njëjtë apo e njëjtë me dikend a me diçka tjetër, por kurrsesi ai foli njëjtë. Në këtë rast duhet përdorur ndajfoljen njësoj: “Njësoj foli edhe ai”; “Njësoj mendon edhe ai”; “Njësoj është situata edhe në...” Në shembullin e fundit, mund të përdoret më mirë mbiemri i njëjtë, por këtë herë mu ashtu siç duhet - me nyjën e përparme: “Situata është e njëjtë edhe në...”.

Ku-ja magjike

Ka gabime, ndërkaq, të cilat e zbulojnë shumë mosdijen e atyre që i bëjnë. Po ta dinin këtë, atëherë ata që e përdorin aq shpesh ndajfoljen ku, si një shkop magjik me të cilin përpiqen të mbulojnë paaftësinë për të formuluar drejt lloje të ndryshme fjalish, nuk do ta bënin kurrë këtë. Ja një shembull i gjetur kuturu: “Në fjalimin e tij, ku tha se...” Ku tha? Në fjalim? Ç’vend na qenka fjalimi? Sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe (të cilit do t’i referohemi edhe herave të tjera në këtë tekst), ndajfolja ku, e shoqëruar nga pjesëzat deri, që, shërben për të pyetur për vendin në të cilin ndodhet ose tek i cili drejtohet dikush a diçka, për vendin ku nisemi, për cakun e arritjes së një veprimi etj. Po sipas Fjalorit, ajo përdoret si ndajfolje lidhëse në fjali të varura përcaktore: “Shkuan në vendin ku ra heroi...” Ja një shembull tjetër, i cili zbulon se autori i kësaj fjalie është larg aftësisë së nevojshme për ta bërë atë aq të sofistikuar, sa nevojitet: “Shprehim shqetësim për kahen e qeverisjes në komunë, ku zyrtarët komunalë nuk janë të gatshëm të japin përgjigje...”. Në këtë rast, ai nuk e ka përdorur ndajfoljen ku për të treguar vendin se ku po ndodhin këso gjërash, pra në komunë, por për t’i ikur përdorimit të përemrit lidhor të cilët në rasën gjinore, që nuk e ka ditur: “Shprehim shqetësim për kahen e qeverisjes në komunë, zyrtarët komunalë të së cilës nuk janë të gatshëm...

Mos harroni pra, gjithmonë kur themi ku, kjo duhet të ketë të bëjë gjithmonë me një vend! 

Asi djali, aso vajze

Fjalët asi, aso, kësi, këso në Fjalor karakterizohen si fjalë të vjetruara, por në të folurit dhe të shkruarit tonë kanë përdorim të shpeshtë. Për fat të keq, edhe të gabuar. Në gazetat tona shpesh ndodh të hasim të shkruhet, p. sh., aso djali, ndërsa duhet asi djali (aso thuhet për gjininë femërore, si: aso vajze). Ngatërresa, me gjasë, duhet të shkaktohet nga prejardhja paksa e ndërlikuar gramatikore e këtyre fjalëve, prandaj ato edhe këmbehen lehtësisht njëra me tjetrën. 

Sipas fjalorit, asi është rrjedhorja e përemrit vetor e dëftor ai, ata dhe e ka kuptimin i tillë, si ai ose si ata. Asi djemsh. 

Aso – rrjedhorja e përemrit vetor e dëftor ajo, ato; e ka kuptimin: e tillë, si ajo. Aso vajze.

Këso – Dhanore e rrjedhore, njëjës e shumës e përemrit dëftor kjo. Këso vajze; Këso punësh.

Kësi – Rrjedhore e përemrit dëftor ky, këta. Kësi djemsh.

E ardhmja e parathënë gabimisht

Mënyra lidhore e foljeve dhe koha e ardhme, të përdorura shumë shpesh gabimisht, janë ato që i japin shije tepër të keqe të folurit në mediet tona elektronike, ndërsa në ato të shkruara këto gabime nuk ndodhin, për shkak se lektorët nuk i lënë pa i përmirësuar. Dëgjoni paksa me vëmendje intervistat apo deklaratat e dhëna në lajme, dhe do të shihni se sa njerëz të shkencës, e të mos flasim për politikanët, thonë: “Kosova duhet të shkon në Evropë”, në vend se të shkojë; apo: do të shkon, në vend se do të shkojë. Se sa e shëmtuar është kjo formë ndoshta më së miri do të shihet po të krahasohen këto forma me ato analoge në dialektin gegë. Lidhorja e foljes shkoj në këtë dialekt është me shkue, ndërsa e ardhmja ka me shkue. Paramendojeni tash po të ndiqet shembulli i përdorimit të gabueshëm: “Kosova duhet me shkon në Evropë”, apo: “Kosova ka me shkon në Evropë”! 

Mbase është zor t’i besosh një politikani që ta parathotë kështu të ardhmen, me një mënyrë të çoroditur gramatikore!

Tmerri i foljes jap

Ajo që do të duhej të shkaktonte tmerr ndër ata që e përdorin gabimisht, e po e përdorin tepër shpesh, është folja jap. Për çudi, folja që kurrë nuk i bën të ngatërrohen gjyshet tona të pashkolla, që kanë mbetur ende gjallë, i ngatërron keq shumë njerëz të shkolluar. Me gjasë, këtë gabim e bëjnë ata që mendojnë se të folurit “me gramatikë” duhet të jetë gjithmonë paska ndryshe nga të folurit “e rëndomtë”. Prandaj u ndodh të thonë: “Kemi japë”, “Partia jonë ka japë kontribut të madh”... në vend të kemi dhënë, “Partia jonë ka dhënë kontribut të madh”...

“Japshi helm!”, do të mund të thoshin ato gjyshet e mira.

Po japim zgjedhimin e kësaj foljeje në trajtën veprore, veta e parë, njëjës: koha a tashme – jap (veta e tretë – jep), koha e pakryer – jepja, koha e kryer e thjeshtë – dhashë, koha e kryer - kam dhënë, koha më se e kryer – kisha dhënë, koha e kryer e tejshkuar – pata dhënë, koha e ardhme  - do të jap, koha e ardhme  – kam për të dhënë, koha e ardhme e përparme – do të kem dhënë, koha e ardhme e përparme e së shkuarës – do të kisha dhënë, koha e ardhme e së shkuarës – do të jepja.                

Për fund

Shembujt e mësipërm, për fat të keq, flasin për një kulturë tepër të ulët gjuhësore të shumë personaliteteve publike, të cilët, në harmoni me arsimimin që kanë e postet që mbajnë, do të duhej edhe të flasin bukur. Natyrisht, askush nuk pret prej tyre që në çdo çast të jenë në gjendje të thonë se ç’pjese të ligjëratës apo cilës kategori i përket secila fjalë, të cilën e thonë (fundja edhe ne për këtë tekst jemi mbështetur në gramatikë e në fjalor), por së paku të kenë aq njohuri sa në rast nevoje, kur dyshojnë në përdorimin e drejtë të ndonjë fjale, të kenë mundësi ta konsultojnë fjalorin, apo gramatikën. Me gjasë, ky është mision i pamundshëm për shumë prej tyre.