Më 18 maj, Derek Chollet, këshilltar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe Gabriel Escobar, komisioneri special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, qëndruan para Komisionit të Senatit të SHBA-së për Marrëdhëniet me Jashtë (FRC) dhe iu përgjigjën pyetjeve rreth politikës së SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.
Ishte interesante, por edhe zhgënjyese të shihje dhe dëgjoje se si dy diplomatë amerikanë dhe njerëz që bashkëformojnë politikën ndaj Ballkanit Perëndimor shmangin përgjigjet dhe informacionin e saktë. Ata përdorën shumë fjalë të bukura: demokraci, sovranitet dhe integritet territorial - dhe mbi të gjitha, hyrjes në Bashkimin Evropian. Fatkeqësisht, ajo që mbeti nga ajo sipërfaqësi ishte pa shumë substancë. Isha i zhgënjyer.
30 vjet më parë, përjetova se si SHBA-ja, me Ministrin e Jashtëm Warren Christopher, u përpoqën pa sukses ta shtynin BE-në e ngurtë në një angazhim real në ish-Jugosllavi. Ishte turp duke pasur parasysh krimet e luftës të asaj kohe.
Pse i bëhen lajka Vuçiqit?
Më kujtohet ende shumë mirë se si pas tri vitesh lufte jashtëzakonisht brutale dhe gjenocidi në Bosnje dhe Hercegovinë, presidenti Clinton vendosi ta mbështesë këtë vend.
Dhe prandaj sot nuk e kuptoj se çfarë synimi po ndjek SHBA-ja me politikën e saj në Ballkanin Perëndimor.
Pse amerikanët pragmatikë zgjodhën presidentin serb Aleksandar Vuçiç si “njeriun e fortë” në Ballkanin Perëndimor? Kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë, Senatori Robert Menendez, pyeti me të drejtë gjatë seancës se pse SHBA-ja bashkëpunon me dikë që, siç ka raportuar gjerësisht New York Times, kultivon marrëdhënie intime me mjedisin kriminal. Pse po i afrohet dikujt që Rusia e do shumë strategjikisht? Pse kërkohet afërsia pikërisht me Serbinë, e cila me politikën e saj etno-nacionaliste - të gjithë serbët në një shtet - është një nga shkaqet katastrofike të konfliktit në ish-Jugosllavi.
Kthimi në etno-nacionalizëm?
Dy diplomatë të lartë amerikanë nuk mund të jepnin përgjigje për këto pyetje.
Në bazë të çfarë analize u jepet përparësi disa vendeve të Ballkanit dhe të tjerat ndëshkohen?
Janë publikuar disa analiza për drejtimin e ri të politikës amerikane në Ballkan. Jam dakord me disa. Madje mund të kuptoj se ka arsye pse amerikanët kërkojnë një zgjidhje që gjoja është pragmatike për ta. Rusia, Kina, Tajvani – të gjitha këto vende janë më shumë në fokusin e politikës botërore sesa Ballkani. Megjithatë, kjo nuk është një arsye për të mbështetur politikat hegjemoniste në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të vendosen marrëdhënie të reja fuqie dhe në të njëjtën kohë të sakrifikohen vende si Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi apo Kosova.
A dëshiron vërtet Bosnja dhe Hercegovina t'i kthehet edhe më shumë etno-nacionalizmit? Edhe pse pretendohet se po lufton pikërisht kundër atij etnonacionalizmi?
Ndihmë indirekte ndaj secesionizmit
Megjithëse presidenti i njësisë më të vogël në Bosnje dhe Hercegovinë, Republika Srpska, Milorad Dodik , po përpiqet të mbahet nën kontroll me sanksione dhe paralajmërime, ai në mënyrë indirekte po ndihmohet në zbatimin e planeve të tij shkëputëse. SHBA-ja ka vendosur të luftojë korrupsionin në Ballkanin Perëndimor dhe me sanksione, e megjithatë mbështet politikanët më të korruptuar.
Le të kujtojmë se si presidenti aktual i SHBA-së Joe Biden në pozicionin e tij të atëhershëm si senator përpara të njëjtit komitet në prill 1993 me raportin e tij "To stand against the aggression: Milosevic, the Bosnian republic and the conscience of the West" (Të qëndrojmë kundër agresionit: Millosheviçi, republika boshnjake dhe ndërgjegjja e perëndimit" , bëri thirrje për të ndihmuar Bosnjën dhe Hercegovinën për t'i dhënë fund luftës.
Pa strategji dhe e rrezikshme
A e miraton Presidenti Biden atë që Departamenti i Shtetit po bën sot? A e di ai se politika aktuale amerikane po fyen pikërisht viktimat e caqeve etnike të luftërave të viteve 1990?
Një ditë pas seancës, presidenti Biden propozoi James O'Brienin si nënsekretarin e ri për Evropën dhe Euroazinë në Senat. Në vitin 1995, O'Brien mori pjesë në hartimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit dhe punoi në kohën kur unë isha përfaqësues i lartë në Bosnje dhe Hercegovinë në grupin e ekspertëve për reformën kushtetuese, të cilin e themelova. Ai është jurist me përvojë dhe ish-komisar special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, i cili e njeh mirë Bosnjën dhe Hercegovinën dhe rajonin.
Shpresoj se me emërimin e tij në Uashington, megjithatë e kuptuan se duhet bërë një ndryshim kursi, i cili do ta drejtojë politikën aktuale amerikane drejt Ballkanit Perëndimor, e cila është e dëmshme, pa strategji, pa rezultate dhe e rrezikshme, në një rrugë të re. Por, përderisa Derek Chollet është këshilltar në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, i cili bashkë-formon politikën ndaj Ballkanit Perëndimor, për fat të keq unë mund të jem vetëm gjysmë optimist.
BE-ja ndjek verbërisht SHBA-në
Pas shpërthimit të fundit të dhunës në veri të Kosovës, në të cilën demonstruesit militantë serbë lënduan ushtarët e KFOR-it, Shtetet e Bashkuara - krejtësisht e pakuptueshme - shpallën në mënyrë të njëanshme sanksione kundër Kosovës. Edhe këtu SHBA-ja, por edhe BE-ja, pothuajse nuk reagon fare ndaj politikës provokuese serbe, përkundrazi. Fakti që Vuçiqi nga Beogradi po i pengon serbët e Kosovës të integrohen në shtetin e Kosovës, thjesht pranohet nga BE-ja dhe SHBA-ja. Madje, kryeministrit të Kosovës Albin Kurti i mohohet mbështetja, sepse qartazi nuk dëshiron të përfshihet në planet amerikane.
Pse BE-ja dhe Gjermania po e ndjekin SHBA-në pothuajse verbërisht? Që BE-ja nuk është në gjendje të jetë vetëkritike dhe të bëjë të njëjtin gabim si 30 vjet më parë me kriminelin e luftës Sllobodan Millosheviq, është dëshmi e paaftësisë.
Një gjykim që ndryshon gjithçka
Më 31 maj, Gjykata e Hagës shpalli vendimin e saj përfundimtar në një proces që zgjati 20 vjet, në lidhje me dy drejtuesit e sigurimit shtetëror serb në luftërat e viteve 1990 në Bosnje dhe Kroaci. Secili prej tyre mori nga 15 vjet burg, ndër të tjera, për organizimin e ndërmarrjejes së përbashkët kriminale dhe dëbimin e joserbëve në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Kryeprokurori Serge Brammertz tha qartë: “Ky aktgjykim ndryshon gjithçka.” Dhe në të vërtetë: ky vendim duhet të kishte pasur një ndikim të madh në vlerësimin e luftës në atë kohë. Kjo është dëshmi se Serbia ka marrë pjesë aktive në luftën kundër Bosnje-Hercegovinës. Me kaq, ajo luftë nuk mund të quhet më kurrë "luftë civile". Tani më në fund është konfirmuar zyrtarisht, ajo që të gjithë e kemi ditur gjatë gjithë kohës: Serbia në atë kohë ishte e përfshirë në mënyrë aktive në luftë.
Por tani shtrohet pyetja, a do të ndryshojë diçka ky verdikt në Bashkimin Evropian dhe SHBA në lidhje me politikën e sotme ndaj Ballkanit Perëndimor. A do të vazhdojnë të gjithë t'i shikojnë Aleksandar Vuçiqin dhe Serbinë si aktorët kryesorë në Ballkanin Perëndimor dhe t'i lajkatojnë? A nuk është më në fund koha për një vendim për të ndryshuar politikën dhe për t'i dhënë përparësi një politike tjetër në Ballkanin Perëndimor? Një politike, në të cilën do të ketë pasoja për fajtorët dhe autorët e krimeve dhe viktimat do të dëgjohen më në fund.
(Deutsche Welle; shqip: D. Gashi)
Christian Schwarz-Schilling: Për një politikë të re ndaj Ballkanit Perëndimor
"Politika amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor mbështet etno-nacionalizmin. Është koha për të ndryshuar një politikë të tillë"
