Tri ditë më parë Serbia e kishte pranuar kapitulimin, dhe vendin e forcave të saj, të cilat po tërhiqeshin me njëfarë triumfalizimi të rremë, do ta zinin forcat e NATO-s. Do të jenë këto ndoshta tri ditët më të gjata të pritjes gjatë 78 ditëve të fushatës së bombardimeve. Përpjekjeve të përditshme për t’u dukur i qetë në atë ankth të pafund dhe mundit për të mos iu dhënë shpresave të rreme, të parakohshme, pas ndonjë vale të të cilave ishte vështirë të ringriteshe shpirtërisht, ua kishte zënë vendin një apati vrastare.
Dhe, në fund, ai mëngjes i përjetshëm. Zbulimin se njeriu, në të vërtetë, mund të jetë i lumtur vetëm pse e thith lirshëm ajrin dhe ecën pa drojë, kisha vendosur ta ruaj përjetë. Me ditë të tëra edhe s’kam bërë gjë tjetër, pos bredhjeve të pafundme rrugëve të Prishtinës. Barojat që kishin mbirë edhe nëpër oborre të shtëpive dhe nëpër shtigjet e shkelura në parqe, si në një vend të mbetur shkret, e tregonin në mënyrë të dhimshme ferrin të cilin e kishim lënë pas. Se Prishtina na qenkësh çliruar një ditë më parë, më 11 qershor, do të “mësoj” shumë kohë më vonë.
Dikur më ra në mend se edhe duhej punuar. Më kujtohet takimi i parë më kolegët e punës. Një si kolone të krijuar rastësisht, në rrugën para pallatit të shtypit, i printe njëri nga ata që, gjatë të nëntëdhjetave, shquheshin si ithtarë të “krahut të luftës”. Ma hodhi një shikim të stisur, sikur kur shohim një kafshë të çuditshme. Ai zbulimi im, i mëngjesit të parë në liri, u zhduk ndoshta që në atë çast.
Ditët e mëpastajme do të jenë të mundimshme në luftën e padenjë për dominim mes grupesh me etiketime të ndërsjella. Asnjë kompromis në emër të lirisë, në emër të shtypit të lirë. Askush s’është i gatshëm të heqë dorë nga pamja narcisoide e të kaluarës së tij dhe e grupit të tij. “Rilindja” tashmë ishte shndërruar në një anije, të cilën duhej braktisur. Siç e dimë tashmë, të fuqizuar me “të drejtën historike”, e mori “krahu i luftës”. Dhe, e fundosi. Në të vërtetë, kjo vetëm se u regjistrohet atyre, ndërsa e fundosëm të gjithë.
Katërmbëdhjetë vjet më vonë, Prishtina ende e shënon një datë të rrejshme çlirimi. Për fat të keq, siç e ka dëshmuar përvoja gjatë tërë këtyre viteve, nuk është ky një mit politik i ngritur me qëllim të mirë, për të qenë frymëzues e bashkues, por vetëm sa për të legjitimuar të drejtën për pushtet. Apo, të drejtën për të uzurpuar pushtetin. Këtë tashmë e dëshmon Kosova e sotme, e shndërruar e tëra në një anije për t’u braktisur.Të këtillë sigurisht se e kanë përjetuar ata qindra të rinj nga Anamorava, të cilët, në ekzodin e tyre masiv drejt Perëndimit, kanë përfunduar në burgjet hungareze.
Anijethyerja e madhe e tashme sigurisht se mund t’i përshkruhet pushtetit aktual, por fajin për këtë e kemi të gjithë. Ne ende nuk kemi konsensus të përgjithshëm për zgjedhje demokratike, të lira e fer, dhe për sundim të ligjit. Dhe, pos tjerash, kur i sheh të dhënat për pasurinë marramendëse të krijuar të politikanëve në këtë kohë, e kupton se ata e kanë krijuar edhe një të kaluar të keqe, e cila sërish do të përpiqet ta ndalojë të ardhmen të mos vijë. Dhe kuptojmë se për ne koha sikur nuk ka ecur, thua se jemi ngrirë si ata krushqit e legjendës, në atë 12 qershor të vitit 1999.
(Zëri, 16. 06. 2013)
Anija për t’u braktisur
Ndoshta kurrë nuk do ta kuptoj pse 12 qershori i vitit 1999 është gjithmonë aq i gjallë në kujtesën time, sikur të kish qenë dje. Ditët e tilla, që shënojnë kthesa të mëdha e dramatike, sigurisht se mbahen mend ashtu të freskëta përjetë. Por, mund të jetë edhe sepse shoqëria kosovare nuk ka bërë ndonjë shkëputje të madhe cilësore nga ajo pikë që i ndan epokat.
