Çfarë kanë të përbashkët përshkallëzimi në veri të Kosovës, secesioni rrëshqitës i zbatuar nga Dodiku dhe momenti kur Mali i Zi ishte në prag të luftës civile - i inaugurimit të Joanikies në Cetinje?
Përgjigje: Nacionalizmi i Serbisë së madhe dhe ideja e tij udhërrëfyese që ka shumë emra por vetëm një përmbajtje - Serbi e madhe, Serbi homogjene, Botë serbe...
Çfarë kanë të përbashkët luftërat në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe ndërhyrja e NATO-s në Jugosllavi?
Përgjigje: Nacionalizmi serbomadh dhe ideja e tij udhërrëfyese që ka shumë emra por vetëm një përmbajtje - Serbi e madhe, Serbi homogjene, Botë serbe.
Me përjashtim të agresionit kroat ndaj BeH-së (i cili, përsëri, ishte shumë i kushtëzuar nga fakti se Tuxhmani dhe Millosheviqi, si persona të autorizuar të atëhershëm të nacionalizmit serbomadh, bënë marrëveshje për ndarjen e Bosnjës) dhe Maqedonisë, aktori i të gjitha konflikteve dhe situatave të krizës në Ballkan në 30 vitet e fundit ka qenë i njëjtë.
Po ndodhi një konflikt i ri në Ballkan, a ka dikush, kudoqoftë, që mendon se atë nuk do ta shkaktojë nacionalizmi serbomadh?
Meqë është kështu, cila është përgjigja e të ashtuquajturit Komunitet ndërkombëtar: lexoni Kuintit, lexoni SHBA-së, lexoni Perëndimit? Ndalimi i ideologjisë që kreu gjenocidin në Bosnje dhe destabilizoi rajonin për 3 dekada? Heqja e shtytësit të të gjitha proceseve të paqëndrueshmërisë?
Jo sigurisht. Zgjidhja është: ndërsa nacionalizmi serbomadh punon me tërë forcën për të krijuar Botën serbe; ndërsa nacionalizmi serbomadh punon në mënyrë aktive për shkëputjen e gjysmës së Bosnjës; ndërsa nacionalizmi serbomadh po e shkatërron Malin e Zi; ndërsa nacionalizmi serbomadh përpiqet për krijimin e RS-së në veri të Kosovës; ti pordh për nacionalizmin boshnjak e malazez; ti pordh për radikalizimin e boshnjakëve; mos e ndërroni Vuçiqin, mos e pushoni Dodikun, por ndërrojeni Milon e Bakirin, nesër ndërrojeni Zhelkon, pastaj bëni gjithçka për të shkarkuar edhe Kurtin, sepse ata, e jo politika shtetomadhe e Beogradit, janë problemi i vërtetë; Lërini OJQ-të tuaja dhe shërbëtorët "qytetarë" të gënjejnë dhe shpifin vazhdimisht ndaj njerëzve që ekspozojnë publikisht politikën tuaj cinike, të poshtër dhe pa masë të dëmshme në rajon, pse jo t'i eliminoni dhe t'u dërgoni mesazh të tjerëve se çfarë do t'u ndodhë nëse ju rezistojnë; sillni në pushtet në Sarajevë elitën që do t'i kthejë faqen tjetër Dodikut pas çdo shuplake që do t'ia japë dhe pastaj të mburreni se Dodiku donte një konflikt, por ata ishin aq të mençur sa shmangën konfliktin me të; shkatërroje çdo rezistencë ndaj idesë së Botës serbe; ndaje Ballkanin Perëndimor në sferat e ndikimit të Zagrebit, Beogradit dhe Tiranës; dilni me projektin Ballkani i hapur, largoji dhe heshti të gjithë ata që e kundërshtojnë, sillni në pushtet në Sarajevë njerëzit e mjerë që do ta mbështesin atë projekt; sajoje projektin Ballkani i hapur, i cili mundëson fizikisht realizimin e sferave të ndikimit të Beogradit dhe Tiranës; përmes shërbëtorit të tij, Përfaqësuesit të lartë, në Sarajevë siguro kushtet që Federata e Bosnjë-Hercegovinës të funksionojë praktikisht si sferë e ndikimit të Zagrebit; bëni të gjitha këto dhe shpresoni për më të mirën.
Idiotë. Idiotë të poshtër, të korruptuar. Vuçiqi dhe Dodiku, ose cilido qoftë tjetër nga vuçiqët a dodikët e panumërt të Beogradit dhe Banjallukës, do të ndalen për shkak të koncesionit tuaj ashtu siç ndaloi Hitleri pas aneksimit të Sudetit.
Lëreni Përfaqësuesin tuaj të lartë të godasë Dodikun me masa që nuk mund t'i zbatojë. Masat që nuk mund t'i zbatosh janë më të këqija se masat që nuk keni marrë. Sepse: një shtet, ligjet e të cilit nuk vlejnë në të gjithë territorin e tij, nuk është shtet. Në këtë mënyrë, konfirmoni politikën e Dodikut/Beogradit për të portretizuar Bosnjën si një shtet të dështuar dhe të paqëndrueshëm. Pas kësaj, le të shpallë Dodiku përjashtimin e plotë të subjektit të tij nga rendi juridik i Bosnjë-Hercegovinës, që nuk është gjë tjetër veçse secesion, le të shpallë “forcimin e kufijve të entiteteve”, që nuk është gjë tjetër veçse shkëputje.
Pas kësaj, dërgoni miqtë tuaj të Sarajevës që të vazhdojnë t'i fryjnë në bythë. Bëjeni dhe shpresoni për më të mirën.
Zhvillojeni politikën tuaj të neveritshme perandorake pa humanizëm, etikë, parime dhe ndjeshmëri. Dhe shpreso për më të mirën.
E gjithë kjo, pa dyshim, dhe jo nga pozita e një njeriu besimtar, por e një njeriu skeptik, mund të thuhet edhe kështu:
“Vetëm një zot mund të na shpëtojë. Na mbetet e vetmja mundësi që në të menduarit dhe të kënduarit të bëhemi gati për shfaqjen e Zotit apo për mungesën e Zotit në shkatërrim, për të dështuar në përballje me Zotin që mungon” – Martin Heidegger, në një bisedë të mbajtur më 23 shtator 1966, botuar në "Der Spiegel" pas vdekjes së tij, 31 maj 1976.
(Slobodna Bosna, Përkthimi: D. Gashi)
Shënim: Andrej Nikolaidis është shkrimtar e gazetar, i lindur në Sarajevë, jeton në Ulqin. Ka fituar Çmimin e Bashkimit Evropian për Letërsinë në vitin 2011. Kolumnet e tij botohen në tërë hapësirën e ish-Jugosllavisë.
Andrej Nikolaidis: Dil me Ballkanin e hapur, d.m.th. Botën serbe, hiqe Milon dhe Bakirin, nesër hiqe Zhelkon dhe Kurtin...
Po ndodhi një konflikt i ri në Ballkan, a ka dikush, kudoqoftë, që mendon se atë nuk do ta shkaktojë nacionalizmi serbomadh?
